Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi në lidhje me dosjen ‘Partizani’ ka përfunduar pa asnjë vendim. Kjo seancë është shtyrë për në datën 6 mars.
Në një deklaratë për mediat avokati i Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se se të gjithë personat që janë ë atë procedim kanë kërkuar pushimin e çështjes. Gjokutaj nënvizoi se janë kyer veprime voluminoze, që kanë dal dhe jashtë objektit.
“Absolutisht të gjithë personat që janë në atë procedim kanë kërkuar pushimin e çështjes me të njëjtin argument, për shkak të mungesës së faktit penal. Pra, nuk ka çështje. Kjo është i gjithë thelbi dhe, për hir të së vërtetës, të gjithë subjektet, personat, por edhe mbrojtësit e subjekteve jemi në një unison, sepse ajo është një çështje e tërë e stisur, e sajuar në atë formë dhe ka të njëjtin shkak procedural, për të cilin të gjithë ne kemi një shkak të përbashkët: mungesën e faktit penal.
Është e gjatë sepse është voluminoze; është e gjatë si çështje që ka volum, por s’ka substancë, nuk ka lëndë brenda. Sigurisht, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes dhe atë presim nga gjykata. Pastaj do të shikojmë sesi do të vendosë gjykata.
Në këtë çështje nuk ka alternativë. Në konceptin tonë, mungesa e faktit penal nuk lë shteg për alternativë. Pra, ka vetëm pushim të çështjes, sepse kur mungon fakti penal, nuk ke çfarë i heton më asaj çështjeje. Dhe në fakt, e vërteta është kjo: ata kanë kryer veprime voluminoze, veprime pa objekt, kanë dalë edhe jashtë objektit, edhe veprime të çuditshme, sepse nuk ka fakt penal dhe ne nuk mund të bëjmë kërkesa të pakuptimta.”, tha Gjokutaj.