Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas vendimit të kryeministrit kanadez Justin Trudeau për të vendosur tarifa hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara. Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump ka theksuar se për çdo tarifë që Kanada vendos ndaj SHBA-së, do të ketë një kundërpërgjigje të menjëhershme me një tarifë të barabartë.
Trump përdori gjithashtu termin “Guvernator” për Trudeau, një ironi që ka përdorur më parë, duke e lidhur me dëshirën e tij që Kanadaja të bëhej shteti i 51-të i SHBA-së, një ide që Trudeau ka refuzuar vazhdimisht.
“Ju lutemi, shpjegojani ‘Guvernatorit’ Trudeau se kur ai vendos një tarifë hakmarrëse ndaj SHBA-së, tarifa jonë reciproke do të rritet menjëherë me të njëjtën shumë!”, shkroi Trump.
Kryeministri kanadez vendosi tarifat 25% si hakmarrje për tarifat e vendosura nga SHBA ndaj mallrave kanadeze, duke shkaktuar tensione mes dy vendeve.