Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar nga burgu dhe shprehet se e ka marrë malli për familjen dhe Tiranën.
Veliaj në reagim flet për rrezikun e prishjes së provave dhe shprehet se do të vazhdojë me çmontimin e kurthit që është në burg. Ai nënvizon se Bani ka pranuar burg për të në mënyrë që mos rrezikohej prishja e provave.
Veliaj është shprehur më tej se ai nuk ka më asnjë rrezik për të prishur provat, pasi sipas tij SPAK-u disponon celularin e tij dhe të dhjetra personave të tjerë.
Postimi i plotë:
Se mos prishen lodrat!
Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.
Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.
Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.
Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.
Cilat prova do të prish unë?
Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?
Çfarë provash do prish?
Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?
Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.
Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!
Përqafime të gjithëve!