Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një dalje për mediat theksoi edhe njëherë sot se e ka gati paketën e emergjencës për të shpëtuar Shqipërinë.
“Kjo do të jetë motoja e krenarisë shqiptare! Nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, nuk gjen askund një hapësirë prej 28 mijë km² me kaq shumë potenciale natyrore dhe burime të gjithanshme si ky vend.
Duke vendosur ekonominë në epiqendër të programit tonë, ne rikthehemi me forcën më të madhe për ta çuar Shqipërinë në piedestalin e prodhimit dhe zhvillimit.
Një gjë dua të theksoj:
Ata që i dëgjojnë këto fjalë me skepticizëm, ata që dyshojnë tek themeli i dhembshurisë apo tek Shqipëria e begatë, duhet ta kujtojnë se ka qenë pikërisht kjo forcë politike që dyfishoi rrogat dhe pensionet, si askush tjetër në atë kohë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën.
Ata që e konsiderojnë këtë një ekzagjerim, nuk duhet të harrojnë se ne ishim ata që rritëm eksportet me 320%, ndërkohë që vitin e kaluar, eksportet ranë me 32%.
Nxitja e prodhimit, rritja e eksporteve dhe krijimi i një klime më të favorshme për biznesin – Shqipëria e taksave të ulëta – janë të gjitha potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit.
Janë faktorë që do ta kthejnë “Made in Albania” në moton kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të begatisë së shqiptarëve” tha ai.