Presidenti Donald Trump e filloi fjalimin e tij të parë drejtuar Kongresit amerikan, në mandatin e dytë, me deklaratën se “Amerika është rikthyer”, çka bëri që ligjvënësit republikan të brohorisnin “Amerika”.
“Gjashtë javë më parë, nën kupolën e Kapitolit deklarova agimin e ‘Epokës së Artë të Amerikës’. Që nga ai moment, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një veprim i shpejtë dhe i pandërprerë për të sjellë epokën më të begatshme dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump.
Udhëheqësi amerikan tha se administrata e tij “ka arritur gjatë 43 ditëve më shumë se shumica e administratave të tjera në katër ose tetë vjet, dhe sapo kemi filluar”.
Trump renditi disa nga urdhrat ekzekutivë, mes tyre shpalljen e emergjencës kombëtare në kufirin jugor dhe vendosjen e ushtrisë amerikane dhe organeve të rendit për të patrulluar kufirin dhe “zmbrapsur pushtimin e vendit”, siç u shpreh ai.
Ai tha gjithashtu se vendosi ngrirjen e menjëhershme të ndihmave për vendet e huaja dhe punësimin në qeverinë federale./VOA