Franca është duke i dhënë Ukrainës informata të inteligjencës ushtarake, pasi Uashingtoni njoftoi pezullimin e ndarjes së informatave të tilla me Kievin, tha të enjten ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.
Ministri Lecornu tha se Franca po vazhdon ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën.
“Informatat tona të inteligjencës janë sovrane. Ukraina mund të përfitojë nga informatat e inteligjencës sonë”, shtoi ai.
SHBA-ja tha të mërkurën se e ka pezulluar ndarjen e informatave të inteligjencës me Ukrainën, duke e ndërprerë ofrimin e të dhënave jetike që kanë ndihmuar atë ta shënjestrojë pushtuesin rus.
Megjithatë, zyrtarë të administratës Trump kanë thënë se bisedimet pozitive mes Uashingtonit dhe Kievit nënkuptojnë se pezullimi mund të jetë i shkurtër.
Informatat e inteligjencës amerikane janë jetike për Ukrainën në përpjekjet e saj për t’i gjurmuar lëvizjet e trupave ruse dhe për t’i zgjedhur objektivat.