Ministri i Jashtëm i Sirisë u zotua të mërkurën se vendi i tij do të shkatërrojë sa më parë armët kimike të mbetura që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.
Ministri Asaad Hassan al-Shibani i bëri këto komente gjatë takimeve me dyer të mbyllura me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Hagë, në cilësinë e ministrit të parë të jashtëm që mori pjesë në punimet e agjencisë për çarmatim.
“Siria është gati… ta zgjidhë këtë problem afatgjatë që na është imponuar nga regjimi i kaluar”, u tha ministri Shibani delegatëve. “Detyrimet ligjore janë rezultat i shkeljeve që trashëguam, jo që i krijuam. Sidoqoftë, jemi të përkushtuar të shkatërrojmë çfarëdo të ketë mbetur nga ai, për t’i dhënë fund kësaj trashëgimie të dhimbshme dhe për t’u siguruar se Siria bëhet shtet që i respekton normat ndërkombëtare”.
Të mërkurën, drejtuesi i OPCW-së Fernando Arias e quajti ndryshimin politik të Sirisë “një shans të ri dhe historik për të siguruar qartësi mbi shkallën dhe nivelin e plotë të programit sirian për armët kimike”.
Ministri Shibani tha se planifikimi tashmë ka filluar, por se ndihma e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë e rëndësisë kritike. Sirisë i nevojitet ndihmë teknike, asistencë logjistike, ndërtim kapacitetesh, burime dhe ekspertizë në terren, tha ai.
“Ndonëse regjimi i Asadit bllokoi këtë bashkëpunim me vite, e kuptojmë që duhet të veprojmë me shpejtësi, por gjithashtu e kuptojmë se duhet të bëhet plotësisht. Për këtë, nuk mund të jemi të suksesshëm të vetëm”, tha ai.