Këngëtarja e njohur kosovare, Edona Llalloshi, ka reaguar për herë të parë pas zgjedhjes së saj si deputete e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për besimin që i dhanë votuesit. Ajo fitoi 44,707 vota, një rezultat mbresëlënës që e konfirmoi si një nga përfaqësueset më të votuara.
Në një postim në InstaStory, Llalloshi falënderoi qytetarët dhe votuesit për mbështetjen, duke theksuar se do të mbetet besnike ndaj artit, kulturës dhe traditës, ashtu siç ka qenë gjithmonë në muzikë.
“Faleminderit nga zemra të dashur qytetarë dhe votues. Më lejoni që me dashuri dhe përulje të shpreh falenderimin tim për mbështetjen tuaj dhe që keni besuar në vizionin dhe angazhimin tim dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE, për të sjellë ndryshime pozitive për gruan, artin, kulturën… Si artiste profesioniste i kam qëndruar besnike këngës, kulturës e traditës së vendit tim, edhe si përfaqësuese e juaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të jem po e njëjta. Ky është një nder i madh për mua dhe familjen time. Le të vazhdojmë të hecim përpara, së bashku, me dashuri e përkushtim për vendin tonë, ashtu siç, e kemi bërë deri tani! E juaja. EDONA”, shkroi Llalloshi në mbishkrimin e postimit.
Ajo e përshkroi kalimin e saj nga muzika në politikë si një mundësi për të kontribuar për gratë dhe kulturën e Kosovës.