Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një intervistë për mediat greke sulmoi sërish Edi Ramën për raportet Tiranë-Athinë. “Rama i korruptuar i shkatërroi marrëdhëniet me Greqinë me paraburgimin e Fredi Belerit, me dëshmitarë të rremë, pasi kishte përvetësuar një kanion (të Gjipesë) prej shumë hektarësh dhe iu bind oligarkëve”, thotë për Liberal, Sali Berisha. Ai shpjegon pse Shqipëria nuk i plotëson kriteret për anëtarësim në BE dhe flet për mundësitë e bashkëpunimit në Ballkan.
“Në mënyrë absolute Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, përveç pozicionit gjeostrategjik, për të cilin unë e mbështes procesin. Por kriteret… Një vend që arreston në vitin elektoral 3 liderë të opozitës, e partive kryesore, një vend që u merr mandate me gjykata kundërshtarëve politikë, se i kontrollon ato, një vend që kontrollon mediat në mënyrë të pamëshirë dhe shpall se do mbyllë rrjetet sociale, Tik Tok-un, një vend që ka të burgosur, ka një drejtësi politike dhe mungesë të një procesi ligjor të drejtë.
Nuk duhet të harroni se në Shqipëri sot, 62% e të burgosurve janë në paraburgim. Se i marrin i plasin njerëzit në paraburgim dhe nuk merret kush me ta. Ky vend, me një shkallë të lartë korrupsioni më të paimagjinueshëm. Me afera korruptive, të cilat shkojnë miliarda. Ky vend, i cili është një narkoshtet. Narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, ku përfaqësuesit e Sinaloas priten në zyrën e Edi Ramës dhe marrin licensa për kazino dhe resorte me 5 yje”.
Sa i përket marrëdhënieve shqiptaro-greke si i vlerësoni ato, dhe cilat janë bazat për t’i përmirësuar këto marrëdhënie? “Mendoj se, marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë bërë progres të ndjeshëm. Por, këto vitet e fundit kanë patur edhe përkeqësime krejtësisht për shkak të qëndrimeve të qeverisë së Edi Ramës.
Po marrim Marrëveshjen e detit. Kishim rënë dakord me qeverinë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Greqisë, që të shkonim në Hagë. Edi Rama hoqi dorë nga kjo dakordësi dhe deklaroi se do bëjë një marrëveshje më të mirë. Negocioi 2-3 vjet, dhe kur erdhi problemi për të firmosur marrëveshjen, Edi Rama tha se nuk e firmos dot për arsye se ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ishte një gjë jashtëzakonisht joserioze. Se ti, në qoftë se uleshe për negociata, duhet t’u thoje që kam këtë vendim, dhe unë jashtë këtij vendimi nuk dal dot. Por jo, të negociosh 3 vite dhe pastaj të thuash: na doli vendimi! Pra, ishte shumë jo serioz.
Së dyti. Akt i pashembullt ishte marrja e mandatit nëpërmjet dëshmitarëve të rremë të Fredi Belerit. Fredi Beleri, anëtar i minoritetit grek në Shqipëri fitoi mandatin, u votua nga qytetarët e Himarës. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ai ka të drejtë në qoftë se votohet, të jetë dhe president i këtij vendi. Ky është është ligji.
Kurse, Edi Rama i mori mandatin, vetëm e vetëm pse Beleri nuk do të lejonte Ramën të grabisë kanionin e Gjipesë. Kur u arrestua Beleri, unë deklarova publikisht që është arrestim politik dhe prapa këtij arrestimi qëndrojnë interesa mafioze direkte të Edi Ramës. Nuk e dija se, Edi Rama kishte pronësuar, pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument konfiskimi nga regjimi komunist, kanionin e Gjipesë, një nga kanionet më të bukura të Jonit dhe të Mesdheut, për nënën dhe kushërinjtë e tij. Kjo doli më vonë.
Sigurisht që, Fredi Beleri nuk mund të bënte kurrë një kompromis të tillë, të lumturonte Edi Ramën me 224 mijë m2 tokë në këtë zonë.
Megjithatë, arriti që të krijojë përshtypjen se Beleri nuk është njeri korrekt. Beleri nuk kishte bërë asnjë faj. Beleri ishte fajtor vetëm se ishte deklaruar anëtar i minoritetit grek dhe duhej që ky të pranonte t’i bënte Edi Ramës favoret mafioze që kërkonte.
Pra, marrin fund këto. As që do ndodhin dhe as kanë për të ndodhur. Çdo qytetar do të trajtohet sipas kushtetutës dhe ligjit. Mund të kemi raste, apo shembuj të tjerë. Pra, janë një seri aktesh të cilat, sigurisht, nuk është se nuk ndikuan në marrëdhëniet negativisht.
Traktati i Miqësisë, një dokument themelor i firmosur në vitin 1996 u injorua totalisht dhe, faktikisht sot është i skaduar, kërkon të rinegociohet, të rishqyrtohet. Pra, marrëdhëniet me Greqinë u dëmtuan nga interesat mafioze të Edi Ramës” tha ai.