Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Ajola Xoxa akuzohet për të njëjtat episode dhe raste korrupsioni si Erion Veliaj por u la në masë më të butë, në hetim në liri për shkak të djalit të vogël.
Ndërkohë Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxës, për heqjen e sekuestros së një vile në Qerret. Valbona Xoxa kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, por gjyqtari Engert Pëllumbi e rrëzoi kërkesën e saj.
Valbona Xoxa u paraqit në SPAK më 19 shkurt në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj dhëndrit të saj Erion Veliaj dhe vajzës së saj, Ajola Xoxa.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij” njoftoi gjykata.