Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në një takim miqësor dhe produktiv. Spiropali e informoi Kos për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar reformat e thella demokratizuese dhe integruese që ka ndërmarrë vendi ynë.
Ajo nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë dhe të vendosur në këtë drejtim dhe se integrimi në BE është një mundësi për të kontribuar për një Europë më të sigurt dhe të fortë. Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë është të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030.
“Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë, nënvizoi znj. Spiropali, është një vlerësim për Shqipërinë si vendi kandidat më i shpejtë, më i vendosur dhe më i merituar drejt anëtarësimi në Bashkimin Europian”, tha kryetarja e kuvendit, Elisa Spiropali.