-sidi education-spot_img
27.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Neritan Sejamini: Reformat që partitë nuk i duan

Kryesoret

“Po këtë vit buxheti nuk ka reformë fiskale!” – pohoi gazetarja me ton kritik. “Sa mirë që nuk ka!” – ia ktheva unë. “Kur nuk ka ndryshime taksash e rregullash, është gjë e mirë për biznesin. Paparashikueshmëria e të ardhmes është pengesë për bizneset që të planifikojnë dhe investojnë. Është mirë kur taksat nuk ndryshojnë shpesh.”

Pasi u largova nga studioja, mendova për habinë e gazetares ndaj kundërshtisë sime për ‘reformat’.

Termi ‘reformë’ hyri vrullshëm në fjalorin tonë pas rënies së komunizmit si përshkrim i transformimeve që Shqipëria duhej të ndërmerrte për vendosjen e ekonomisë së tregut dhe demokracisë. Këto reforma kalimtare (tranzicioni) ishin jo vetëm të domosdoshme, por nënkuptonin edhe diçka të mirë. Kështu, qysh në fillim, ‘reforma’ u barazua me ‘të mirën’.

Tranzicioni tani ka mbaruar. Për çdo vit nën komunizëm, kemi pasur gati një vit në tranzicion për të çbërë pasojat e komunizmit. Çfarë mund të bëhej, u bë—tashmë kemi arritur stacionin e fundit, destinacionin, shtëpinë. Struktura politike, ekonomike dhe shoqërore që kemi është ajo që do të kemi përherë.

Në ‘shtëpinë’ ku kemi mbërritur nuk ndihemi të lumtur. Tranzicioni ishte më joshës: kur ishim të pakënaqur me gjendjen, i jepnim shpresë vetes duke menduar se ajo ishte e përkohshme, se sapo të përfundonin reformat e tranzicionit, do ishim më mirë. Ndaj, sa herë që qeveritë shpallnin reforma të reja, ndiheshim mire sepse besonim se ato do ta përshpejtonin arritjen e lumturisë në fund të tranzicionit. Kjo mund të ishte arsyeja pse gazetarja ndjente se diçka mungonte këtë herë që buxheti nuk shoqërohej me reformë fiskale.

Por reformat e deritanishme të tranzicionit kanë qenë shpesh sipërfaqësore, jo rrallë të gabuara dhe gjithmonë të nxitura nga pragmatizmi politik. Pavarësisht reformave ‘historike’, ‘rilindëse’, ‘transformuese’ që kemi ndërmarrë, institucionet themelore politike dhe ekonomike të vendit nuk kanë ndryshuar shumë nga forma që ato morrën menjëherë pas rrëzimit të komunizmit.

Kështu, përshembull, kemi bërë 9 reforma zgjedhore deri tani—shumë më shumë se çdo vend tjetër në botë—dhe prapë kemi një sistem zgjedhor që nuk garanton përfaqësimin dhe mirëqeverisjen. Kemi bërë një reformë të pashoqe në drejtësi, por drejtësia ende nuk funksionon siç duhet. Kemi miratuar një Kushtetutë të re dhe shumë amendamente të saj, por ajo nuk garanton as ndarjen e pushteteve dhe as kontrollin e balancimin e tyre, që është detyra kryesore e një kushtetute.

Paradoksalisht, pas shumë reformave, Shqipëria ende ka nevojë për reformim të sistemit politiko-ekonomik. Ka nevojë për reformimin e ‘reformimit’ të tranzicionit.

Por ndërsa për disa reforma të parëndësishme diskutohet shumë, disa reforma themelore, të domosdoshme janë lënë krejtësisht në heshtje. Më kryesoret po i përmend më poshtë.

Financimi i partive politike.

Kam shkruar disa herë për mungesën e demokracisë së partive politike (shih këtu dhe këtu). Por problemi më i madh i partive është fakti se ato janë ricikluese parash të dyshimta dhe nga evazore të mëdha fiskale. 43 mijë euro, 18 mijë euro dhe 11 mijë euro janë dhurimet nga bizneset që deklaruan respektivisht tre partitë kryesore për fushatën parlamentare 2021. Në të vërtetë, ato marrin miliona euro—të gjitha të padeklaruara, si nga partitë ashtu edhe nga dhuruesit.

Financimi i paligjshëm dhe deklarimet e rreme financiare i korrupton dhe kompromenton partitë që para se ato të vinë në pushtet. Prandaj pa reformuar financimin e tyre, në Shqipëri do të ketë përherë korrupsion e klientelizëm në përmasa të mëdha dhe keqqeverisje kronike.

Menaxhimi financiar i bizneseve.

Si partitë, bizneset në masë falsifikojnë raportet financiare, duke mbajtur bilance te dyfishta, për të shmangur taksat. Nuk është rastësi, që Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropë të raportit të ardhura tatimore—prodhimi i përgjithshëm.

Nga ana tjetër, raportimet e rreme financiare janë pengesë madhore për zhvillimin e sipërmarrjes dhe kapitalizmit në Shqipëri. Lindja, në fillim të Shekullit XVII, e shoqërive aksionere—si shkëputje nga bizneset familjare—është novacioni që solli lindjen dhe fuqizimin e kapitalizmit dhe transformimin e shoqërive perëndimore. Forma aksionere u mundësoi bizneseve burime të mëdha financimi (praktikisht nga çdo individ në shoqëri); shpërndau rrezikun e sipërmarrjes mes shumë personave; mundësoi menaxhimin profesional të bizneseve; dhe mundësoi gradualisht zëvendësimin e kapitalit me dijen si faktorin më strategjik të prodhimit.

Kompanitë aksionere kanë të domosdoshme transparencën financiare dhe nuk mund të egzistojnë atje ku raportimet financiare fallsifikohen në masë. Ky është shkaku kryesor që sipërmarrja shqiptare është zhvilluar pak në këto 35 vjet: bizneset vendase vazhdojnë të mbeten kryesisht biznese me bazë familjare apo partneritete të pak individëve; bizneset nuk kanë ndarë pronësinë nga menaxhimi—vazhdojnë të kontrollohen e menaxhohen nga pronarët; dhe janë kufizuar kryesisht në tregti dhe sektorë ku kërkohet pak dije dhe përparim teknologjik.

Pa u zgjidhur problemi i bilancave të dyfishta (raportimeve të rreme) sipërmarrja shqiptare do të mbetet njësoj e pazhvilluar dhe ekonomia e vendit anemike.

  1. Financimi i mediave.

Një rast kritik i informalitetit financiar është ai i mediave. Në një sistem demokratik, media ka mision t’i shërbejë interesit publik duke informuar qytetarët për vendim-marrjen publike dhe duke i kërkuar llogari pushtetit. Por tek ne, mediat i shërbejnë pushtetit dhe interesave të tjera ekonomike, në dëm të interesit publik.

Shkaku është financimi—mediat financohen përgjithësisht në mënyrë informale, direkt ose indirekt, nga pushteti dhe grupe ekonomike të lidhura me pushtetin. Më keq, kohët e fundit shantazhi dhe gjobvënia janë bërë burim i rëndësishëm financimi për shumë media.

Informaliteti (shpesh kriminalizimi) i financimit dhe fallsifikimi i financave çon në kapjen e mediave nga pushteti dhe interesat private. Prandaj, nëse nuk do të zgjidhet problemi i transparencës financiare, mediat nuk do të marrin rolin e domosdoshëm e të pazëvendësueshëm që kanë në një shoqëri demokratike.

Administrata publike profesionale.

Pa administratë publike profesioniste nuk mund të ketë as mirëqeverisje, as demokraci. Por në Shqipëri administrata më së shumti i shërben interesave të partisë në pushtet. Partitë politike janë para së gjithash struktura të punësimit në shtet dhe shpëndarjes së favoreve qeveritare për anëtarët, veprimtarët dhe financuesit e tyre.

Njerëzit mbështesin partinë të fitojë zgjedhjet për t’u bërë ose mbetur drejtorë, shefa, inspektorë e punonjës në administratë. Policët, mësuesit, mjekët, juristët, ekspertët, specialistët duhet të mbledhin vota për partinë në vend që të mbrojnë, edukojnë, shërojnë, ndihmojnë, zbatojnë ligjin, hartojnë politika të shëndosha publike.

Pasojat janë shkatërruese: korrupsion dhe klientelizëm të kudo gjendur; punonjës civilë mediokër dhe pa integritet; ndikim i paligjshëm në zgjedhje. Në këtë mënëyrë, politika pushon së qëni konkurencë programesh e interesash legjitime dhe kthehet në një ankand paraprak për plaçkën që do vidhet më pas.

Kjo është ndoshta sfida më e vështirë dhe më e rëndësishme të gjithave: krijimi i një administrate profesioniste që i shërben ligjit e interesit publik dhe jo partisë.

Administrimi jopartiak zgjedhor.

35 vjet pas rënies së komunizmit, zgjedhjet në të gjitha nivelet administrohen ende në mënyrë partiake. Kjo rrit koston e zgjedhjeve, krijon hapësirë për manovrime e manipulime partiake, çfavorizon partitë e vogla e të reja. Veçanërisht, numërimi i qendërzuar i votave krijon vonesa në nxjerrjen e rezultateve dhe shumëfishon mundësitë për manovra partiake.

Rezultati i këtij sistemi janë zgjedhje me probleme, kundërshtime të rezultatit zgjedhor dhe trazira politike. Prandaj, administrim jopartiak i zgjedhjeve, të paktën në nivelet e ulta, është domosdoshmëri për të përmirësuar zgjedhjet dhe për të hequr një nga shkaqet kryesore të mungesës së stabilitetit politik në vend.

Kjo reformë do të mundësojnë uljen e klientelizmit dhe trysninë e presioneve partiake, duke i çliruar partitë nga ‘nevoja’ për shpërblyer me punësim e favore mijëra komisionerë e numërues votash.

Listës së mësipërme të reformave të pafolura mund t’i shtohen të tjera, por do ishte një artikull më i gjatë. Thelbi i çështjes është se asnjë nga këto probleme themelore nuk do të preket nga asnjë prej partive as në këto zgjedhje.

Të gjitha partitë duket se preferojnë mosndryshimin, pavarësisht se shumë flasin për ndryshime të mëdha e reforma të thella. Por ndryshimet që ato kanë bërë deri tani nuk prekin thelbin e sistemit politik-ekonomik të vendit. Këto ndryshime i ngjajnë pohimit ‘sa më shumë ndryshon, aq më shumë mbetet njesoj’.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit