Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas zgjedhjes së Imzot Joanit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke e cilësuar këtë një moment historik për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ai theksoi se puna dhe përkushtimi i Joanit në Mitropolinë e Korçës e kanë bërë atë një udhëheqës të denjë dhe të merituar për këtë detyrë, duke e krahasuar me figura të shquara si Fan Noli dhe Kristofor Kisi.
“Zgjedhja e sotme, si Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, i Fortlumturisë së tij, Imzot Joanit, shënoi një kulm shpirtëror! Fronëzimi i tij, 27 vite më parë, në Korçë, ishte si pika kulmore që solli ringritjen e plotë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Puna dhe devocioni i tij, në krye të mitropolisë më të madhe ortodokse në vend, ia doli të ringrejë një kishë të denjë fetarisht dhe kombëtarisht, me mbështetje dhe në ndihmë të besimtarëve, duke u bërë pasardhës i denjë i paraardhësve të tij, Jerothe Jahos, Kristofor Kisit, Fan Nolit, Vangjel Çamçes, Evllogji Kurillës dhe Pais Vodicës!
Uroj që në gjurmët e peshkopëve martirë shqipëtare, Imzot Joani të jetë i denjë në detyrën e tij të shenjtë dhe ta drejtojë Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në zhvillim dhe forcim të mëtejshëm, në kapitullin e saj të ri historik.
I denjë!”