Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar një protestë të re më 18 maj, duke kërkuar respektimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore. Fillimisht, protesta kishte nisur për pamundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por gjatë kohës janë evidentuar edhe probleme të tjera që lidhen me përdorimin e saj.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, tha se iniciativa tashmë ka marrë një dimension më të gjerë qytetar dhe bëri thirrje për angazhim të profesorëve, studentëve dhe shoqërisë civile.
“Protesta filloi për një problem teknik në procesin e studimeve, por tani është shndërruar në një kauzë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet. Gjuha jonë duhet të na bashkojë, jo të na ndajë, dhe të gjithë duhet të jemi të bashkuar për këtë.”
Tubimi do të fillojë në orën 16:30 tek Ura e Gurit në Shkup, ku protestuesit do të marshojnë nëpër qytet.









