1- Hyrje
Parulla “America First” e përdorur nga administrata Trump dhe e vazhduar në forma të ndryshme nga politika amerikane, ka sjellë një rikthim të fuqishëm të gjeopolitikës tradicionale. Ky ndryshim ka pasur dhe pritet të ketë një varg pasojash për Europën. Këto pasoja do të reflektojnë në dobësimin e multilateralizmit dhe para së gjithash të NATOs.
Kjo strategji gradualisht, por me hapa të përshpejtuar, tashmë ka dhënë shenja se është në përputhje të plotë me projektin për një Rend të Ri Botëror, që bazohet në një trajektore gjithashtu të re, e që nuk ka të bëjë asgjë me trajektoren konvencionale të politikës së jashtme amerikane.
Qasja e administratës së Trump-it ndaj Rusisë, e demonstruar në trevjetorin e fillimit të luftës gjithëpërfshirëse ruse për aneksimin e plotë të Ukrainës, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së1në raport me rezolutën e sponzoruar nga aleatët e Ukrinës, përmes së cilës kërkohej tërheqja e trupave ruse nga territori sovran ukrainas, shenjoi hapin e parë drejt Rendit të Ri Botëror.
Vota e SHBA-ve, në këtë rast e rreshtuar krah Rusisë, ishte shenjuesi më i qartë i kthesës historike në rirreshtimin gjeopolitik. Krejt kjo bëhet duke përlogaritur tërheqjen e Rusisë nga aleanca me Kinën në ngritje!
Në këtë proces të votimit të rezolutës 93 vota ishin pro ndërkaq 18 ishin kundër – në mesin e atyre që votuan kundër ishin edhe SHBA-të!!!
Me këtë akt Aleanca Transatlantike u godit rëndë… por edhe Rendi i Ri Botëror hodhi hapin e parë. Ky kurs i ri amerikan, ngre pyetje kritike të ligjshme në lidhje me pasojat e tij veçanërisht për aleancën transatlantike dhe stabilitetin global.
Hemisfera Perednimore pëson kështu të çarën më të madhe në historinë e saj.
Atë që Millosheviqi nuk ia kishte arritur, pavarësisht se kishte rezistuar plot 78 ditë bombardimeve të NATOs[1999], pas tri viteve luftë në Ukrainë, ia arriti Putini.
2. Qasja strategjike për ndarjen e Rusisë nga Kina – investim i gabuar
Strategjia amerikane për të ndarë Rusinë dhe Kinën ka disa paralele me atë të BE-së për të shkëputur Serbinë nga influenca ruse, pavarësisht se duken në shikim të parë se kanë dallime thelbësore. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me përpjekje për të ndarë aleanca që perceptohet se ishin dhe janë të rrezikshme për interesat e Perëndimit. Megjithatë, ka faktorë që e bëjnë secilin rast unik.
Qasja strategjike e SHBA-ja ndaj Kinës dhe Rusisë, ashtu si edhe ajo e BE-ja ndaj Serbisë, synojnë të ofrojnë alternativa ekonomike, politike dhe diplomatike për të zbutur varësinë nga Moska, respektivisht Pekini. Në këtë rrafsh si SHBA edhe BE përdorin mjete ekonomike dhe diplomatike për të arritur qëllimet e tyre, qoftë përmes investimeve, marrëveshjeve tregtare, apo integrimit në organizata ndërkombëtare.
Në të dy rastet, Rusia është një faktor kyç që nuk e pranon lehtë humbjen e aleatëve të saj dhe reagon me presion politik, ekonomik dhe ushtarak.
Në këtë paralele, megjithatë, ka edhe diferenca të thella.
Rusia dhe Kina, pavarësisht partneritetit të tyre të fortë, kanë dallime historike dhe interesa që nuk përputhen gjithmonë. Ndërsa Serbia ka një lidhje emocionale dhe historike më të thellë me Rusinë, e cila e bën më të vështirë shkëputjen e saj nga Moska.
BE-ja i ka premtuar Serbisë anëtarësim, por procesi ka qenë i ngadalshëm dhe shpesh zhgënjyes. Ndërkohë, SHBA-të kanë vështirësi të shkëpusin Rusinë nga Kina, sepse Moska dhe Pekini e shohin Perëndimin si një kërcënim të përbashkët.
Rusia dhe Kina janë të dyja superfuqi të mëdha dhe mund t’i rezistojnë më lehtë presionit amerikan. Në rastin e Rusisë kjo rezistencë u reflektua qartë në përballjen e lufëts për tri vjet rresht në Ukrainë dhe këmbëngulja për të mos hequr dorë nga objektivi strategjik i krijimit të Botës Ruse.
Ndërkaq Serbia, edhe pse me lidhje të forta me Rusinë, është më e varur nga BE-ja ekonomikisht dhe politikisht. Prandaj ky investim, në që të dy rastet, duket të jetë i gabuar.
Në rastin e SHBA-së përpjekja për të ndarë Rusinë nga Kina është shumë e vështirë dhe ka pak gjasa të ketë sukses në afat të shkurtër. Të dy vendet kanë një interes strategjik për t’u përballur me Perëndimin së bashku.
Ndërkaq në rastin e BE-së dhe Serbisë përpjekja e BE-së për ta tërhequr Serbinë në shikim të parë dukej më realiste, por ngecja e procesit të anëtarësimit dhe hezitimi i Brukselit, jo thjesht vtëm në raport me Serbinë, por me të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë për aderim në BE, e kanë bërë të pasigurt suksesin.
Në të dyja rastet, strategjia rezulton të jetë e gabuar.
Qasja e Trumpit në raport me Rusinë na kujton hapjen e Presidentit Richard Nixon në Kinë në vitin 1972, ku Uashingtoni shfrytëzoi ndarjen kino-sovjetike për të frenuar Moskën.
Megjithatë, këtë herë, rolet janë të kundërta, pasi Shtetet e Bashkuara kërkojnë të angazhojnë Rusinë në një përpjekje për të dobësuar pozicionin strategjik të Kinës.
Administrata parashikon angazhimin diplomatik, heqjen e sanksioneve të zgjedhura dhe uljen e mundshme të tensioneve mbi Ukrainën si mekanizma për ta rikthyer Rusinë në një marrëdhënie më të ekuilibruar me Perëndimin.2
Premisat e kësaj strategjie bazohen në stimuj të pastër transaksional, që nuk nuk mund të funksionojnë. Partneriteti i Rusisë sovjetike me Kinën komuniste atbotë kishte një shtrat të përbashkët ideologjik. Ky partneritet Rusi-Kinë ka vite, me theks nga përfundimi i Luftës së Ftohtë e tutje, është ndërtuar mbi kundërshtimin e përbashkët ndaj dominimit perëndimor.
“Të dy vendet përfitojnë nga bashkëpunimi ekonomik, stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe koordinimi diplomatik në institucionet shumëpalëshe si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait.”3
Alenca BRICS de fakto udhëhiqet nga presidenti Putin, që konsiderohet si inicuesi dhe arkitekti i botës shumëpolare. Rendi i Ri Botëror në themel ka pikërisht këtë objektiv – krijimin e një bote shumëpolare. BRICS-it i mungon fuqia ushtarake që kanë SHBA-të, por atij nuk I mungon fuqia ekonomike, që me kalimin e kohës mund të jetë garancë e mirë për ngritjen edhe të krahut ushtarak. Shih për këtë, gjasat që Rusia të braktisë BRICS-in e sidomos partneritetin me Kinën, duken tjet jo realiste.
Deklaratat e fundit të Presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa dhe ndryshimet në rendin botëror kanë ngjallur diskutime të shumta mbi pasojat e mundshme për sigurinë ndërkombëtare dhe marrëdhëniet transatlantike.
Sipas burimeve diplomatike, Presidenti Trump ka propozuar një reduktim prej rreth 20,000 trupash amerikane në Evropë, që përbën afërsisht 20% të pranisë aktuale ushtarake amerikane në kontinent.
Ky veprim synon rishikimin e angazhimit të SHBA-së në mbrojtjen e Evropës dhe kërkon që vendet evropiane të kontribuojnë më shumë financiarisht për mbulimin e kostove të trupave të mbetura, duke argumentuar se këto forca shërbejnë si parandalues dhe se kostot nuk mund të përballohen vetëm nga taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, disa liderë evropianë kanë shprehur besimin se SHBA-ja nuk ka plane konkrete për tërheqjen e tërsishme të trupave ushtarake. Presidenti polak, Andrzej Duda, pas një takimi me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, deklaroi se “nuk ka absolutisht asnjë synim amerikan për të reduktuar aktivitetin në pjesën tonë të Evropës, veçanërisht në aspektin e sigurisë, ose për të ulur numrin e trupave amerikane”.4
Kjo ishte përgjegjia që i është dhënë alarmit të ngritur nga e përditshmja gjermane në shkrimin e saj me titullin: “Në rast të një marrëveshjeje mes Trump dhe Putin: Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”.5
Deklarata të ngjashme u publikuan ndërkohë edhe nga komanda e NATO-s dhe zyrtarë amerikan në raport me Ballkanin.
Së fundmi, janë shfaqur raportime që sugjerojnë mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Ballkani, veçanërisht nga Kosova. Këto raportime në mediat e zotëruara nga oligarkët në Kosovë janë afishuar me shpejtësi drite!
Këto shqetësime u ngritën pas negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite, ku u spekulua se Rusia mund të kërkojë tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s kanë mohuar këto pretendime. Një zyrtar i Misionit të SHBA-së në NATO deklaroi se nuk ka pasur asnjë diskutim për reduktimin apo tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Po ashtu, një zyrtar i NATO-s theksoi se angazhimi i SHBA-së ndaj Aleancës dhe prania e trupave amerikane në Evropë mbeten të fuqishme, dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në selitjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 600 trupa të stacionuara në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Italia gjithashtu kontribuon me mbi 1,200 trupa në këtë mision.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e rajonit, duke rritur pasigurinë dhe inkrajuar Serbinë për veprime ushtarake në favor të politikave ekspansioniste tashmë të promovuara që ndërlidhen me objektivin për krijimin e Botës Serbe.
Në përgjithësi, pavarësisht spekulimeve, deklaratat zyrtare nga SHBA-të dhe NATO-ja konfirmojnë vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
3. Rendi i Ri Botëror dhe strategjia e Trumpit
Autorët dhe strategët e mbledhur rreth “MAGA-s” [Make America Great Again] ka kohë që kanë promovuar kursin pro-rus duke e risjellë në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump-in dhe Elon Musk-un. Vetëm muaji i parë i rikthimit të Trump-it dhe instalimit edhe të Elon Musk-ut në Shtëpinë e Bardhë këtë kurs pro-rus dëshmoi se e bën të pa ndalshëm!
Ky proces i kalimit në sferën ruse të interesave strategjike, natyrisht duke pretenduar shkëputjen e Rusisë nga Kina dhe zhbërjen e BRICS-it, do të shoqërohet me instalimin e autokracisë në SHBA dhe shkëputjen nga Europa. Ky proces po pretendohet të bëhet akt i kryer madje para zgjedhjeve afatmesme!
SHBA-të kështu pretendojnë se do ta ndërrojnë edhe kursin e transferit të bilancit global të fuqisë nën kontrollin e Kinës.
BRICS, i udhëhequr nga Rusia, Kina dhe India, po sfidon dedollarizimin dhe me këtë edhe humbjen e peshës së SHBA-ve në rendin ekonomik dhe politik perëndimor.
Për ta shmangur këtë rrjedhë zhvillimesh, viktimizimi i Ukrainës është vetëm një dëm kolateral i pa peshë esenciale në logjikën e strategëve të MAGA-s.
Shih për këtë, ata gjykojnë se e ardhmja e Amerikës qëndron në krijimin e një entiteti të bashkuar dhe të integruar – një super-shtet që do të dominonte në të gjitha sferat: nga ekonomia dhe teknologjia deri te fuqia ushtarake dhe ajo gjeopolitike, siç gjykon njëri nga autorët e saj.
Nuk është e rastësishme që ndërkohë janë pohuar publikisht disa nga pikat e vizionit të Trump-it në këtë kuadër, si bie fjala ai për integrimin e Kanadasë, Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë në kuaëdr të Shteteve të Bashkuara. Këto territore nuk janë vetëm gjeografikisht të rëndësishme – ato janë, gjykojnë strategët e rinjë të MAGA-s, vendimtare për fuqinë strategjike dhe ekonomike të së ardhmes së Amerikës dhe rolit të saj në kuadër të Rendit të Ri Botëror.
“Amerika e Para” alias MAGA ka parashtruar objektivin e saj konkret, e që ka të bëjë me ndrrimin komplet të paradigmës që Trump-i ju kishte komunikuar votuesve. Administrata Trump nen ndikimin e Elon Musk-ut tani po vepron në përputhje me doktrinën që do të garantonte ruajtjen e statusit të superfuqisë hegjemone, madje duke e forcuar atë. Ndërkaq Europa, alias liderët e BE-së, ndërkohë e kanë kuptuar se demokracia liberale e etabluar në shoqërinë europiane, ka nevojë immediate për strategjinë autonome që i garanton pavarësinë shtetërore secilit anëtarë dhe të ardhmen e bashkësisë si tërësi.
Prosperimi i doktrinës hegjemone të MAGA-s bazohet në zhvillimin e teknologjive të reja si Inteligjenca Artificiale, Blockchain, energjitë e rinovueshme etj.; ato kërkojnë minerale të rralla.
Sot në Uashington në emër të MAGA-së po punohet për ndryshimin e institucioneve ndërkombëtare që mbajnë vulën e SHBA-së.
Krejt kjo në emër të krijimit të Rendit të Ri Botëror. Në themel të Rendit aktual, le të kujtojmë faktin se, ishin pikërisht institucionet e krijuara nga vet SHBA-të – Ligji Ndërkombëtar, OKB-ja, NATO-ja etj.
Politikat e Presidentit Trump, që de fakto janë produkt i ekspertëve që kanë hartuar platformën e Make America Great Again, kanë sjellë ndryshime të konsiderueshme në rendin botëror.
Qasja e tij “Amerika e Para” ka sfiduar institucionet dhe aleancat tradicionale ndërkombëtare, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Kjo qasje ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj dhe ka nxitur diskutime mbi një rend të ri botëror, ku vendet evropiane mund të detyrohen të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Në një intervistë për Euronews Albania, analisti Mentor Beqa theksoi se vendimet e Trump-it mund të kenë pasoja të mëdha për rendin botëror, duke përfshirë dobësimin e aleancave tradicionale dhe rritjen e ndikimit të fuqive të tjera si Kina dhe Rusia.
Sidoqoftë, deklaratat dhe veprimet e Presidentit Trump lidhur me tërheqjen e forcave amerikane nga Evropa dhe ndryshimet në rendin botëror, kanë shkaktuar debat mbi të ardhmen e sigurisë globale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndërsa një lagje liderësh evropianë mbeten të sigurt për vazhdimin e angazhimit amerikan, të tjerë paralajmërojnë për pasojat e mundshme të një tërheqjeje të tillë.
Në Washington ka plot një muj që është instaluar një lider si Donad Trump-i, që po e sfidon rendin liberal ndërkombëtar, duke i vënë në plan të parë interesat e ngushta kombëtare mbi aleancat tradicionale (America First).
Nëse SHBA-ja distancohet nga Evropa dhe tërhiqet nga Aleanca, që ka pak të ngjarë që të ndodhë, Shqipëria rrezikon të mbetet pa mbrojtje gjeopolitike. NATO-ja mund të mos jetë më çadra që na mbron nga rrebeshet, ndërsa zgjerimi i BE-së mund të vazhdojë të mbetet një histori e hapur dhe e pafund, ngjashëm me fatin e oficerit të ri te Shkretëtira e Tatarëve e Dino Buxatit, shkruan publicisti nga Tirana Lutfi Dervishi.
Por, nëse zhvillimet në rendin e ri botëror përfshijnë një aleancë më të ngushtë mes Donald Trump-it dhe Vladimir Putinit, kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për Ballkanin. Duke pasur parasysh se Ballkani ka qenë një zonë e ndjeshme për ndikimet gjeopolitike të fuqive të mëdha, ky zhvillim mund të krijojë tensione dhe ndryshime strategjike.
4. Ndryshimi i balancës gjeopolitike
Ndërkohë po jetojmë epokën e rikthimit të Imperatorive. Fuqitë e mëdha dhe ato rajonale kërkojnë të rimarrin apo të ripërcaktojnë sferat e tyre të ndikimit, ashtu siç ndodhte në epokat e perandorive klasike.
Rikthimi i rivaliteteve të mëdha, përplasjet për burime, territore dhe ndikim kulturor e ekonomik, janë bërë më të dukshme, veçanërisht pas ndryshimeve të mëdha gjeopolitike të dekadave të fundit.
Rikthimi i imperatorive në një formë moderne, nuk do të thotë domosdoshmërisht ndërtimi i perandorive klasike me territore të pushtuara dhe të administruara drejtpërdrejt, por më shumë një zgjerim i ndikimit ekonomik, politik, ushtarak dhe kulturor.
Disa superfuqi dhe fuqi rajonale tregojnë tendenca të qarta drejt një modeli të ri imperial. Superfuqitë me prirje imperialiste moderne si SHBA-të, Kina dhe Rusia tashmë kanë bërë hapat e parë që imponon ndryshimi i balancës gjeopolitike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdojnë të mbajnë një rrjet të gjerë bazash ushtarake në gjithë botën. Ato kontrollojnë institucionet financiare globale (si FMN dhe Banka Botërore). Ndëraq përdorimi i “soft power-it” dhe “dollar diplomacy-së” ia mundësoj pengimin e BRICS-it për ta promovuar monedhën e vet. Derisa dominimi i tyre kulturor dhe teknologjik përmes korporatave si Google, Apple, Microsoft dhe Hollywood është evident.
Kina në anën tjetër ka projektuar ngriten si fuqi përmes iniciativës “Rruga e Mëndafshit” (BRI), duke e lidhur ekonomikisht dhe politikisht botën me veten. Krahas kësaj ajo ka krijuar bazat e para ushtarake jashtë kufijve (p.sh., në Xhibuti).Ndërkaq shfrytëzon kapitalin ekonomik dhe investimet për të rritur ndikimin (në Afrikë, në Amerikë Latine, në Evropë). Por, Kina ka gjithashtu edhe ambicie të qarta për dominim teknologjik (AI, 5G, etj.).
Rusia po përdor fuqinë ushtarake për të rikthyer ndikimin në hapësirën post-sovjetike (Ukrainë, Gjeorgji, Bjellorusi, Azinë Qendrore). Thellon kursin diplomatik për mbajtjen e aleancave me regjime autokratike për të kundërshtuar Perëndimin [rasti në Serbi, Hungari, Republika Serbe e Bosnjës…] Ka vite që ka krijuar monopol në fushën e energjisë dhe mbështetë eksportin e saj si instrument politik e shantazhi. Ndërkaq vazhdon ta intensifikoj përdorimin e mercenarëve dhe dezinformimin për të ndikuar në vendet e tjera, jo vetëm në Ballkan.
Në këtë garë nuk kanë mbetur mbrapa as fuqitë rajonale me prirje imperialiste.
Turqia po ringjall trashëgiminë osmane përmes diplomacisë kulturore dhe fetare në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ka ndërhyrë ushtarakisht në Siri, Libi, Azerbajxhan dhe është bërë lojtar kyç në Mesdheun Lindor. Industria e saj ushtarake po rritet ndjeshëm, duke e bërë më të pavarur strategjikisht.
Irani ka ndërtuar një “perandori” me anë të milicive dhe grupeve të armatosura në Irak, Siri, Liban, Jemen (përmes Houthive). Përdor kombinimin e fesë dhe ideologjisë për të zgjeruar ndikimin në botën shiite. Ka ambicie të bëhet një fuqi bërthamore, duke sfiduar Perëndimin dhe rivalët arabë e para së gjithash Izraelin.
India po rrit ndikimin në Oqeanin Indian dhe po përpiqet të rivalizojë Kinën në Azinë Juglindore dhe Afrikë. Ka një forcë të madhe ushtarake dhe një ekonomi në rritje të shpejtë. Përpiqet të krijojë një zonë ndikimi përmes lidhjeve kulturore dhe teknologjike.
Në epokën moderne, nuk ka nevojë për pushtime ushtarake për të ndërtuar një “perandori”. Në vend të pushtimit fizik, përdoren ekonomia, teknologjia, ndikimi kulturor dhe diplomacia e zgjuar për të krijuar një sferë të madhe kontrolli.
SHBA dhe Kina janë dy superfuqitë me më shumë potencial për të ndërtuar “perandoritë” e tyre, ndërsa Rusia, Turqia, Irani dhe India përpiqen të krijojnë zonat e tyre të ndikimit.
Europa po detyrohet ndërkohë të bëhet gati ta mbrojë Ukrainën qoftë edhe pa Amerikën. Ajo është e bindur se vetëm kështu e bën më të mirën të mundshme në këto qaste historike.
Nëse këtë nuk arrijnë dot ta bëjnë të gjithë tok, si BE e si Europë, atëherë atë do ta bëjë një alencë shtetesh të gatshëm për ta ndaluar marshutën e Putinit.
Takimi urgjent i Parisit e dëshmoi pikërisht këtë strategji veprimi të pritshme dhe të domosdoshme. Kjo lagje e shteteve europiane e kanë kuptuar qartë se duhet mbrojtur Ukraina, qoftë edhe pa Amerikën e Donald Trump-it.
Pas skandalit gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski në Shtëpinë e Bardhë, Evropa dëshiron të marrë iniciativën. Samiti i thirrur me urgjencë për Ukrainën, që u mbajt në Londër më 2 mars 2025, në të cilin u mirëprit Zelenski, Starmer e përshkroi si një “moment unik për sigurinë evropiane”.
Me ftesë të kryeministrit britanik në këtë samit morën pjesë një duzinë krerë shtetesh dhe qeverish evropiane. Ai u zhvillua në sfondin e mosmarrëveshjes publike midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski me Donald Trump dhe zëvendëspresidentin e tij J.D. Vance në Shtëpinë e Bardhë të premten.6
Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi pas një samiti të posaçëm në Londër se, për cilët hapa kanë rënë dakord aleatët e Ukrainës për të ruajtur mbështetjen për vendin e pushtuar nga Rusia. Starmer tha se Britania, Franca dhe vende të tjera kishin rënë dakord të punonin me Ukrainën “për një plan për t’i dhënë fund luftimeve”.7 Ky plan armëpushimi më pas do të diskutohet me administratën Trump në SHBA “dhe do të shtyhet përpara së bashku”. Starmer theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara.
Cilat janë opcionet e presidentit amerikan pas këtij takimi?
E para, ka të bëjë me pritjen që Zelenski t’i përulet atij, t’i kërkojë falje dhe të pranojë të nënshkruajë një marrëveshje për burimet minerale të Ukrainës pa garancitë shtesë të sigurisë amerikane që Kievi dhe vendet kryesore evropiane – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe BE – insistojnë. Trump, nga ana tjetër, beson se kjo marrëveshje është një garanci e mjaftueshme që rusët nuk do të mund të nisin asnjë fushatë të re ushtarake kundër Ukrainës në të ardhmen, d.m.th. pjesa më e madhe e saj që do të mbetet nën kontrollin e Kievit.
Opsioni i dytë është që Trump-i të heqë dorë krejtësisht nga Ukraina dhe ta lërë atë në fatin e ndihmës evropiane në luftën e saj të vazhdueshme me Rusinë, nëse ata dëshirojnë.
Ky opsion është një makth për Evropën (dhe sigurisht për Ukrainën, e cila e di shumë mirë se kush është partneri kryesor strategjik dhe pse arriti të ruajë shtetësinë e saj në radhë të parë).
Sepse elitat politike evropiane do të bënin me kënaqësi luftë me Rusinë me ushtarët ukrainas “deri në fitoren përfundimtare”, por pa dërguar ushtarët e tyre, siç ishte rasti për tre vjet nën Joe Biden-in. Ata do t’i dërgonin vetëm nëse SHBA-ja do t’u siguronte garanci sigurie dhe vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje.8
4.1 Mallkimi i gjeopolitikës: A dëshiron BE dështimin e negociatave për Ukrainën?
Çështjet e mëdha trandin aleancat. Ndërkohë shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas pohon me një guxim të rrallë se “bota e lirë” ka nevojë për një lider të ri dhe se Europa është pikërisht lideri i duhur. Kjo deklaratë gjithandej në qendrat e vendimmarrjeve me karakter gjeopolitik shihet si një flluskë e Brukselit dhe nuk mirret edhe aq seriozisht. Por negociatat që de fakto nuk kaËshtë çështje tjetër gjakimi i një lagjeje të diplomacisë europiane që të dështoi diplomacia e Trump-it në Ukrainë.
Duket sikur amerikanët dhe evropianët janë rikthyer në epokën e Luftës së Ftohtë, por me role të kundërta ngasa kishin atbotë.
Administrata Trump vuri në pikëpyetje angazhimin e SHBA ndaj NATO-s, duke kërkuar që vendet europiane të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake. Edhe pas ndryshimeve në administratën Biden, presioni ndaj Europës për të marrë më shumë përgjegjësi mbrojtjeje vazhdon. Kjo ka nxitur disa vende, si Gjermania dhe Franca, të shtyjnë për një mbrojtje të përbashkët europiane, megjithëse ende pa rezultate konkrete.
Ndërkohë derisa lufta në Ukrainë po vazhdonte Europa ishte detyruar të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të gjejë zgjidhje afatgjata për sigurinë pa u mbështetur vetëm te SHBA.
Tani janë evropianët ata që mbrojnë qëndrime të ashpra ndaj Moskës, ndërsa Uashingtoni po kërkon mirëkuptim.9
Pikëpamjet e ndryshme brenda Aleancës sot kanë të bëjnë ekzkluzivisht me realpolitikën, ato janë rezultat i një situate të ndryshme gjeopolitike. Gjatë Luftës së Ftohtë, evropianët kishin frikë se kontinenti i tyre do të bëhej një fushë beteje për një luftë të kufizuar bërthamore. Për një kohë të gjatë, menaxhimi i konfliktit përmes detentimit dukej se ishte zgjidhja më e mirë për Evropën.10
Qeveria e re e SHBA-ve po ndjek versionin e saj të Teorisë së zemrës së Tokës.
Nisur nga ky këndvështrim, Kina dhe Rusia janë zemra e Euroazisë që do të vazhdojnë të vendosin për fatin e botës në shekullin e 21-të.
Por fakti real që ka ndryshuar në terren është Kina. Ajo tashmë është fuqia dominuese, ndërkaq Rusia si vasale e saj në kuadër të BRICS-it dhe përballë SHBA-ve. Moska në këtë kuaëdr të mallkimit të gjeopolitikës sidomos në raport me Ukrainën, ka mundësi të shndërrohet në peng i lloit ët vet në lojën e shahut.
4.2 Triarkia Plus
Në vitin 1841 filozofi hebraiko-gjerman Moses Hess kishte publikuar librin “Triarkia Europiane”. Teza bazë e Hess-it kishte të bënte me atë se fati i Europës është përcaktuar nga tri shtete: Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.
Moses Hess, në teorinë e tij të triarkisë, i përqendronte analizat e tij mbi tre fuqitë kryesore evropiane të shekullit XIX: Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën. Ai argumentonte se këto tri fuqi përfaqësonin tre aspekte të ndryshme të zhvillimit politik dhe shoqëror:
- Francëai simbol i revolucionit dhe barazisë sociale.
- Gjermania si përfaqësuese të filozofisë dhe zhvillimit intelektual.
- Britania e Madhe si simbol I, kapitalizmit dhe industrializimit.
Teorisë së triarkisë ndërkohë, me theks gjatë rrjedhës së lufëts në Ukrainë, i është bashkangjitur Polonia, duke krijuar kështu një katërkëndësh më të qëndrueshëm për rrethanat e reja gjeopolitike. Lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur rolin e saj në një konteksti modern, duke kontribuar krejt natyrshëm në formësimin e tezës mbi Triarkinë Plus.
Polonia për shumëçka mund të cilësohet si një përfaqësuese tipike e nacionalizmit dhe vetëvendosjes po aq sa edhe si qendër e sigurisë dhe balancës gjeopolitike në Evropën Qendrore,duke qenë njëkohësisht edhe si një ndërmjetëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Pra, një Triarki Plus do të mund të funksionote në këtë mënyrë:
- Britania e Madhe – përfaqësuese e traditës anglosaksone dhe kapitalizmit të tregut të lirë.
- Franca – si lider i integrimit evropian dhe frymës republikane.
- Gjermania – si lokomotivë ekonomike dhe model i stabilitetit social-demokrat.
- Polonia – si qendra e një Evrope të re, e cila po përcakton vetë rolin e saj strategjik në Lindje.
Rolin e Polonisë në rrafshin e strategjisë në Lindje, Shqipëria dhe Kosova do të mund ta kishin në Europn Juglindore.
4.3 Paqa e imponueshme ndaj Ukrainës nuk granton siguri afatgjatë në Europë
“America First” ka frymëzuar lëvizje populiste dhe nacionaliste në Europë, duke nxitur më shumë skepticizëm ndaj BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare.
Forcat politike që ndjekin këtë qasje kanë fituar terren në vende si Italia, Franca, Hungaria dhe Polonia. Ndërkaq ndërhyrja amerikane [e administratës Trump] në dobi të AfD në prag të zgjedhjeve në Gjermani, ka ngritur shqetësim në gjithë kampin liberal dhe progresist.
Qeveria e re gjermane ndërkohë pritet të pozicionohet qartë në mbështetje të kursit tashmë të proklamuar nga ana e partnerëve të saj europian si Franca, Britania e Madhe, Polonia dhe shtetet tjera; ato i pret beteja për shpëtimin jo vetëm të Ukrainës.
Paqa e imponueshme ndaj Ukrainës nuk garanton siguri afatgjatë në Europë.
Marrëveshja e proklamuar krejt çka mund të pritet të siguroj është një armpushim për një periudhë të pacaktuar. Politikat ekspansioniste të Rusisë vazhdojnë tutje. Sidomos në raport me vendet që kanë në kuadër të territorit të tyre pakica ruse. Shih për këtë, Rusia e Putinit duhet të ndalet. Krijimi i një Fronti të rezistencës është në dobi të sigurisë së Europës; ai garanton lirinë dhe vet jetën.
Europa në këto qaste historike po përballet me një dilemë të madhe gjeopolitike. Ajo duhet të forcojë autonominë e saj strategjike për të mos u varur nga SHBA për siguri dhe ekonomi.
Në çdo rast, rikthimi i gjeopolitikës po detyron Europën të marrë më shumë përgjegjësi për fatin e saj.
4.4 BE-ja dhe e ardhmja e saj
Në këtë ndryshim të balancave gjeopolitike, BE-ja vazhdon të jetë tutje një nga organizatat më të fuqishme në botë. Ndërkohë ajo po demonstron edhe mundësitë reale për shndërrimin e sja në një Aleancë Ushtarake.
Sidoqoftë sfidat aktuale tregojnë se e ardhmja e saj do të varet nga aftësia për të ruajtur unitetin; nga pozicionimi i qartë pro sovranitetit të Ukrainës dhe gjetja e rrugëve që do të krijonin parakushtet për një armëpushim afatgjatë ose imponimin e paqes mes Ukrainës e Rusisë; dhe nga aftësitë e saj për të adresuar krizat ekonomike e politike dhe për të përshtatur strategjitë e saj në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.
Një aleancë më e ngushtë mes Trump-it dhe Putinit mund të nxisë tensione midis vendeve të Ballkanit që janë të lidhura me Perëndimin dhe atyre që kanë afërsi më të ngushta me Rusinë.
Vendet si Serbia, që ka mbajtur një politikë të qëndrueshme, për të mos thënë tërësisht vasaliteti në raport me Rusinë, mund të ndihen të mbështetura, ndërkaq dy republikat shqiptare – Shqipëria dhe Kosova, që janë të angazhuara krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian, mund dhe duhet të shtojnë presionin për të mbrojtur integritetin e tyre territorial dhe pavarësinë nga ndikimet ruse. Në fakt dy republikat shqiptre në këtë situtë me urgjencë duhet të ecin drejt unifikimit të Strategjisë, respektivisht krijimit të një komande të vetme mbrojtëse.
4.5 Ballkani përballë dilemës gjeopolitike
Në këto rrethana Ballkani rikthehet përballë dilemës gjeopolitike të epokës së pragluftës së ftohtë.
Secila alternativë mund të ketë pasoja të rëndësishme strategjike, ekonomike ose ushtarake. Kjo përballje lidhet me ndeshtrashat dhe kufizimet që vijnë nga mjedisi ndërkombëtar, balanca e fuqisë dhe interesat kombëtare.
Por në këtë kuadër, nëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si edhe për pjesën më të madhe të shteteve të rajonit, nuk ka dilema gjeopolitike, Serbia, Bullgaria dhe Hungaria ndodhet para dilemës gjeopolitike më serioze.
Vendimet e tyre në këtë përballje gjeopolitike mund të kenë pasoja të thella për arkitekturën e sigurisë europiane, por edhe për rendin ndërkombëtar dhe për ekuilibrin e fuqive.
Serbia sërish ndodhet para presionit për të zgjedhur midis aleancave të ndryshme – midis BE-së dhe Rusisë.
Disa vende të Ballkanit, veçanërisht ato që kanë aspirata reale për t’u bashkuar me BE-në, në këto rrethana, duhet të kërkojnë më shumë mbështetje dhe angazhim nga Bashkimi Europian për të mbrojtur stabilitetin e rajonit.
Ky zhvillim mund të çojë në një rritje të tensioneve ushtarake në Ballkan, me mundësi për skenarë të përfshirjes direkte ose indirekte të fuqive të mëdha në konflikte lokale. Mund të ketë rritje të mundësive për destabilizim, siç është edhe rasti i përpjekjeve për të mbajtur kontrollin mbi territore që Serbia i shenjon si “të diskutueshme”, qoftë ato në Bosnjë [Republika Serbe] apo në Kosovë [veriu i saj].
Në këto rrethana fare lehtë Ballkani mund të bëhet një fushë për konkurrencën mes fuqive të mëdha, si Rusia dhe Kina në njërën anë, dhe Turqia e Perëndimi në anën tjetër. Nëse aleanca Trump-Putin forcohet, mund të rritet ndikimi rus dhe i Kinës në rajon, duke përmirësuar investimet, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të disa shteteve të Ballkanit dhe duke rritur ndikimin e këtyre shteteve në politikat globale.
Në përgjithësi, pasojat për Ballkanin do të jenë të ndërvarura nga mënyrat se si rajoni do të reagojë ndaj këtyre ndryshimeve dhe se si fuqitë ndërkombëtare do të koordinohen për të mbajtur stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë të botës.
5. Pozita e shqiptarëve
Në këtë terren të zhvillimeve gjeopolitike, rishikimi i pozicionit të të ardhmes së dy republikave tona – Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës, por edhe Kombit si tërësi, është krucial.
Shih për këtë, brenda këtij viti, do të duhej të ndërmirreshin tri veprime konkrete:
1. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës;
2. Hartimi dhe aprovimi i Strategjisë Kombëtare;
3. Organizimi i referendumit në të dy republikat tona me pyetjen bosht: A jeni për bashkim në trajtën e një Federate Shqiptare.
Nënshkrimi i marrëveshjes në fushën e sigurisë është urgjencë, respektivisht kusht i domosdoshëm – sine qua non.
Një marrëveshje e sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, e modeluar psh. sipas asaj mes Francës dhe Greqisë, do të përfshinte një angazhim të ndërsjellë për mbrojtje dhe bashkëpunim strategjik. Marrëveshja mes Francës dhe Greqisë është një traktat mbrojtjeje reciproke, ku të dy vendet zotohen të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të një agresioni të jashtëm. Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, një marrëveshje e ngjashme mund të përfshinte elementet e mëposhtme:
1. Klauzola e Mbrojtjes së Ndërsjelltë
- Një angazhim i qartë nëse njëra palë përballet me kërcënime apo agresion nga një palë e tretë, pala tjetër do të ofrojë mbështetje ushtarake dhe politike.
- Kjo mund të përfshijë ndihmë me trupa, pajisje ushtarake ose mbështetje logjistike.
2. Bashkëpunim në Industrinë e Mbrojtjes
- Marrëveshje për bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në të dy republikat.
- Shkëmbime teknologjike dhe trajnime për modernizimin e forcave të armatosura të Kosovës dhe Shqipërisë.
3. Manovra dhe Stërvitje të Përbashkëta
- Organizimi i stërvitjeve të përbashkëta të rregullta midis ushtrisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.
- Harmonizimi i doktrinave ushtarake për rritjen e ndërveprimit operacional.
4. Bashkëpunim në Inteligjencë dhe Siguri Kibernetike
- Krijimi i një qendre të përbashkët për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare.
- Bashkëpunim në mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit.
5. Ankorim në Struktura Ndërkombëtare
- Përfshirja e Kosovës në programet e sigurisë të NATO-s përmes Shqipërisë.
- Koordinim në politikën e jashtme për të forcuar pozicionin strategjik të dy shteteve në rajon.
Një marrëveshje e tillë do të forconte sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal, duke e bërë më të vështirë për aktorët e jashtëm të kërcënonin sovranitetin dhe sigurinë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Përfundim
Thelbi i demokracisë parlamentare dhe forma e aplikuar e saj në demokracitë liberale të etabluara perendimore, aktualisht është nën presion, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
E parë në dritën e zhvillimeve në rrafshin global, para së gjithash pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet Transatlantike po hyjnë në fazën e re historike që pritet të përballet me tronditje të thellë tektonike.
BE-ja aktualisht përballet me kërcënimin që i vjen nga tri drejtime njëkohësisht: i pari, nga Rusia dhe projekti i saj për ekspansion; i dyti, nga Amerika e Donald Trump-it; i treti, nga neofashizmi që po rikthehet në trajtën e nacionalizmit agresiv brenda vetë shteteve më të mëdha europiane.
Krahas kësaj trandje që po imponon agsholi i Rendit të Ri Botëror, BE-në dhe të ardhmen e demokracisë, e sjell përballë konkurrencës së pazakontë me sistemet autoritaro-teknokratike dhe autoritare-autokratike.
Ndërkaq në ambientet e Shtetit-Komb dhe institucionet e BE-së, demokracia po ballafaqohet me ndeshtrashat e uraganit që po sjell rikthimi i neofashizmit në trajtën e populizmit politik dhe veçanërisht humbjeja e ndjeshme dhe në rritje e rëndësisë së angazhimit eksplicit politik nga elita intelektuale perednimore e në veçanti e partive socialdemokrate, të cilat kanë humbur rolin që kishin si ekuivalenti funksionalë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, egzistenca e Shtetit-Komb dhe e vet demokracisë, është në ndërvarje të plotë nga prania e kësaj të fundit në jetën aktive të qytetarëve dhe përkushtimi për ruajtjen dhe selitjen e shtetit-komb dhe demokracisë njëkohësisht.
Shteti-Komb rezulton të jetë shtrati ku mund të selitet tutje demokracia, por me parakushtin që imponon rirreshtimi i ri, respektivisht Rendi i Ri Botëror në krijim dhe gjeopolitika postmoderne.
Në këtë kontekst, e ardhmja e demokracisë dhe shtetit-komb merr kuptim të ri, por është e qartë se në këtë etapë historike – si demokracia edhe shteti-komb, pritet të pësojnë ndryshime të thella.
Në këto rrethana krijimi i Federatës Shqiptare duhet të jetë produkt i një akti juridiko-politik, respektivisht i një referendumi të lirë, i organizuar në të dy republikat tona dhe me praninë e mekanizmave përcjellës të OSBE-së dhe BE-së.
Ky hap do të jetë krucial në fillimet e procesit të krijimit të Federatës Shqiptare dhe pozicionimit të Kombit brenda konceptit të strategjisë autonome europiane, si përgjigje adekuate ndaj ndryshimeve të reja gjeopolitike që po ndodhin.