Ambasadorët austriakë në rajon u takuan me përfaqësues të SPAK në Tiranë, ku diskutuan mbi mbështetjen për reformën në drejtësi dhe perspektivën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Ata theksuan se pavarësia e SPAK në hetim dhe ndjekje të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Austria ka shprehur angazhimin e saj për mbështetje të vijueshme në këtë proces.
“Pak muaj më parë u hap rruga për negociatat gjithëpërfshirëse të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Austria është qartazi e përkushtuar ndaj perspektivës së Shqipërisë në BE dhe po mbështet, ndër të tjera, zbatimin e reformës në drejtësi. Kështu, ambasadoret dhe ambasadorët austriakë të rajonit të Ballkanit Perëndimor shkëmbyen ide edhe me përfaqësues të Strukturës së Posaçme për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë konferencës së tyre në Tiranë. Pavarësia e SPAK-ut në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thekson ambasada austriake ne Tirane.