Me një lëvizje surprizë nga burgu, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një shkrese të firmosur ka shfuqizuar vendimin për delegimin e detyrave të kryebashkiakut tek nënkryetarja Anuela Ristani.
Vendimi i ri urdhëron që këtë detyrë për të drejtuar bashkinë më të madhe në vend ta marrë nënkryetarja tjetër Sara Goxhaj. Ky vendim tashmë ka hyrë në fuqi nga dita e djeshme e do të jetë në fuqi deri në një urdhër të dytë.
Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj është arrestuar në bazë të një hetimi të SPAK, nën akuzën e korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Por a është ky vendim një çarje në raportet me kryeministrin Edi Rama për kontrollin e bashkisë? Ishte vetë kryeministri pak ditë më parë që e bekoi Ristanin të cilën duket se e ka futur në “xhep” dhe kjo nuk i ka pëlqyer Veliajt.
Veliaj po tenton që të mbajë de fakto dhe de jure kontrollin mbi bashkinë nga burgu edhe pse telashet i janë shtuar, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi, njëri prej njerëzve më të besuar të tij dje ishte në SPAK duke sinjalizuar se punët nuk janë mirë dhe në listat e deputetëve për Tiranën nuk janë më të besuarit e tij në vende të sigurta.
Rama po i spastron njerëzit. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama vijon me vizitat në bashki dhe inspektimet në terren duke marrë në fakt kontrollin mbi bashkinë më të madhe në vend.
Veliaj shkarkon kryetaren në detyrë të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanin