Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, ka folur para ndeshjes së kualifikueses për Botërorin 2026 kundër Shqipërisë që do të zhvillohet nesër në “Wembley”.
Ai theksoi se skuadra e tij ka nevojë të luajë me më shumë emocion dhe dëshirë për të fituar, duke shmangur frikën për të humbur. Tuhel shprehu tensionin dhe presionin që ka ndjerë pas performancës në Europian dhe tha se është koha për të ndryshuar këtë mentalitet.
“Duke parë Europianin, klam ndjerë tension dhe presion në këmbët e lojtarëve. Dukej sikur po luanin për të mos humbur më tepër se me emocionin për të sjellë diçka speciale. Duhet ta ndryshojmë këtë.
Dua të luajmë me emocion, uri dhe dëshirë për të fituar. Pranimi i dështimit është pjesë e futbollit. Duhet të implementosh bashkimin dhe faktin që të gjithë të ndihen të sigurtë për të treguar veten dhe për të dhënë më të mirën. Luaj me dëshirë për të fituar dhe jo frikë për të humbur.
Mendoj se kur të luajmë tani, çdokush duhet ta dijë rolin e tij në fushë, të luajë me disiplinë. Duhet të lidhemi pak më mirë, të gjejmë më tepër ritmin dhe lidhjet në fushë.
Duhet të tregojmë se jemi gati për nesër. Është e mrekullueshme që do të luajmë kundër Shqipërisë dhe me stadiumin plot, shumë emocionuese. Jam pak nervoz, por është pjesë e emocioneve. Jam gjithmonë nervoz para ndeshjeve, nuk mund të ishte ndryshe tani.
Tani është koha për të hedhur hapin para, duhet të kemi respekt për Shqipërinë, për kualitetin dhe futbollin që tregon ky kundërshtar. Nuk jemi injorantë të themi që do diktojmë lojë dhe të tjerët do na ndjekin, çdokush do mundohet të gjejë zgjidhje kundër nesh”, u shpreh Tuhel ndër të tjera.