Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg” Lul Berishën, i cili u ekstradua dy ditë më parë në Shqipëri. Lul Berisha akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut dhe është një nga personat më të kërkuar për krime të rënda.
Ai kishte shpëtuar nga një dënim me burg të përjetshëm, pasi Gjykata e Lartë anuloi këtë vendim dhe e dënoi me 25 vite burg.
Lul Berisha u arrestua në Spanjë më 14 dhjetor 2023, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar. Pas arrestimit të tij, ai kërkoi që të mos ekstradohej në Shqipëri, duke thënë se i rrezikohej jeta. Gjithashtu ai akuzohet edhe për vrasje dhe atentate, duke përfshirë vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe të tjera krime të lidhura me bandën e Durrësit.
“Duhet të sqaroj opinionin publik, se Luftar Reçi, krijon artifica duke mashtruar institucionet shtetërore. U bëj thirrje prokurorëve të posaçëm, që përdorimi i bashkëpunëtorë të drejtësisë, për interesa të caktuara, apo për statistika mediatike, cenon rëndë sigurinë kombëtare, të jetës dhe pronës. Duhet të heqim dorë nga ky standard eksta ligjor, prokurori duhet t’i përkushtohet përgjegjësisë dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës”, tha avokati i Lulzim Berishës.