Ditën e hënë nis gjyqi në themel për ish-Presidentin Ilir Meta. Sot, kreu i PL-së i kërkon publikisht gjykatës që seanca gjyqësore e së hënës dhe të tjerat më pas të jenë të gjitha LIVE në transmetim për të mësuar, sipas tij të vërtetën që po ashtu beson se është e kundërta e asaj që mendon SPAK-u.
“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live). Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik” shprehet ai.









