Policia kufitare e Bosnje-Hercegovinës ka nisur një hetim për largimin e Millorad Dodik, udhëheqës i Republikës Srpska, nga vendi, pas lëshimit të një urdhri arresti ndaj tij. Mediat raportojnë se ai ka arritur të kalojë kufirin dhe të hyjë në Serbi, pavarësisht urdhrit për arrest, duke shkaktuar shqetësime mbi mënyrën si ka mundur të ndodhë kjo.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës kishte lëshuar një urdhër arresti dhe urdhëruar paraburgimin për Dodik, kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Vishkoviç, dhe presidentin e Parlamentit, Nenad Stevandiç, pasi ata refuzuan të përgjigjeshin për hetimet penale të Prokurorisë së Bosnjës. Fletë-arresti është i vlefshëm vetëm për territorin e Bosnjës, dhe tani policia kufitare po heton si Dodik mundi të largohet nga vendi.