Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) sqaron se ka refuzuar kërkesën për vizitën e ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar në shenjë hakmarrjeje me refuzimin nga autoritetet serbe të vizitës të ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku në Preshevë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka dorëzuar kërkesën për vizitën e ministrit Çeku më 20 mars 2025, ndërsa nuk ka marrë asnjë përgjigje nga pala serbe deri më 26 mars, ditën kur ishte planifikuar vizita.
Nga ana tjetër, pala serbe ka parashtruar kërkesën e saj më 24 mars, pra katër ditë pas kërkesës sonë, dhe ka kërkuar që vizita e tyre të marrë përparësi. Pra që ne ta miratojmë kërkesën e tyre para se ata të trajtojnë kërkesën tonë, ani pse ne të parët kemi bërë kërkesën”, ka njoftuar MPJD.