Ardit Bido me anë të një video në rrjete sociale në facebook ka reaguar pasi Partia Demokratike kërkoi përjashtimin nga lista e Partisë Socialiste me argumentin se ai mbante ende postin e Drejtorit të Arkivave.
Bido shprehet se Partia Demokratike nuk e përjashton dot pasi sipas tij ata nuk dinë që të lexojnë ligjin. Ai i drejtohet Berishës duke i thënë që së shpejti do të shihen në Parlament dhe do të flasin përballë.
Deklarata e plotë:
Për ditën e dytë rresht, Partia Demokratike del në konferencë zyrtare për shtyp vetëm kundër një kandidati, kundër meje. Duket se i ka zënë frika se çfarë do ta gjejë nesër “Aleancën e Antishqiptarisë Kombëtare të Madhe, Madhështore”, kur të gjendet përballë meje në foltoren e Kuvendit të shqiptarëve.
Doli sot zëdhënësja e PD-së dhe tha që Ardit Bido nuk ka dhënë dorëheqjen, duhet që KQZ-ja ta përjashtojë. Nuk më përjashtoni dot me teknikalitete, sepse ju nuk dini të lexoni ligjin. Ju nuk dini të kërkoni dhe të shihni dokumentacionin.
Ligji për nëpunësin civil përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen me akt të Departamentit të Administratës Publike. Po të donit, e kishit parë në KQZ që ky akt ekziston prej datës 12 mars. Si njeri i përgjegjshëm, pak para këtij akti, delegova kompetencat, siç e parashikon ligji, te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, deri në kthimin në detyrë të titullarit; qofsha ai unë, qoftë dikush tjetër.
Por, kur ekspertizën ligjore, ekspertizën ekonomike, ekspertizën e të gjitha fushave e merr nga njerëz të cilët janë me brumë të lartë intelektual, si Fredi Beleri, këtu do të përfundosh.
Doktor, të lutem, dita e dytë, mos dil më bllof! Mos dil më bllof! Do të shihemi në Parlament dhe do të flasim përballë, ashtu siç na takon: një njeri i cili nuk i fshihet pas gishtit asnjë të vërtete dhe një njeri i cili ndryshon qëndrimet sipas interesit të radhës. Shihemi në Kuvendin e shqiptarëve!