Kryetarja e Kuvendit Elisa Spoiropali në një deklaratë për mediat ka uruar për festën e Fitër Bajramit. Spiropali uron që kjo ditë të rrezatojë përtej komunitetit mysliman. Ajo nënvizoi se Komuniteti Mysliman është një faktor progresi që nxit harmoninë fetare dhe jo përçarjen.
Gjithashtu uroi të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit për shëndet të kenë gëzime, mbarësi dhe më shumë dashuri në jetët e tyre.
“Kjo është një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman. Gjej rastin të uroj të gjithë shqiptarët në Shqipëri e diasporë, në trevat shqiptare, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës në Greqi e kudo, sepse festat i kemi ndarë me njëri tjetrin pavarësisht besimit fetar. Është një dëshmi e qartë sesi toleranca mes komuniteteve është një realitet dhe jo slogan. Uroj Komunitetin Mysliman Shqiptar, një komunitet që rrezaton këtë tolerancë duke qenë një faktor progresi që nxit harmoninë fetare dhe jo përçarjen, një komunitet që mundohet ti bashkojë të gjithë rreth festave. Dua ti uroj të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit për shëndet, gëzime, mbarësi dhe më shumë dashuri në jetët e tyre”, tha Spiropali.