“CNN” shkruan se Europa ‘patetike’ më në fund mund të jetë duke u zgjuar nga gjumi i saj ushtarak.
Ishte një pritë e transmetuar drejtpërdrejt në televizion, për të cilën shumë në Europë shpresojnë se do ta ndalë një luftë.
Qortimi publik që Donald Trump i bëri presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë ishte si një rrufe për aleancën transatlantike, duke shpërndarë iluzionet e mbetura në Europë mbi atë nëse SHBA do të qëndrojë në krah të saj përballë agresionit rus.
E tronditur dhe ndoshta edhe e frikësuar, Europa më në fund mund të ketë ardhur në vete për nevojat e saj të mbrojtjes në epokën e Trumpit, thekson CNN.
“Është sikur Roosevelti ta kishte mirëpritur Churchillin në Shtëpinë e Bardhë dhe të fillonte ta bullizonte”, tha eurodeputeti Raphel Glucksmann për CNN.
“Ky është një ndryshim i madh loje në Europë, sepse Gjermania ishte më e ngadalta – veçanërisht mes vendeve të mëdha – kur bëhej fjalë për mbrojtjen” tha Piotr Buras, një anëtar i lartë në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), për CNN.
Megjithëse pushtimi e tronditi Gjermaninë, “vetëm shock-u Trump i bëri ata ta marrin këtë vendim vërtetë themelor për ta pezulluar frenimin e borxhit”, tha Buras.
Buras tha se uniteti i plotë europian ka qenë gjithmonë një iluzion. “Ajo që vërtet ka rëndësi është ajo që bëjnë vendet kryesore”, tha ai, duke përmendur Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Poloninë. “Dua të jem kujdesshëm optimist, por mendoj se tani jemi në rrugën e duhur. Jemi zgjuar – por tani duhet të vishemi” tha ai.