Kreu i FRPD, Besart Xhaferi gjatë fjalimit të prezantimit të një pakete të re për rininë shqiptare u shpreh se me Sali Berishën në krye gjithçka do të bëhet realitet. Xhaferri tha se me 12 maj Shqipëria Madhështore do të jetë reale dhe se do të zbatohet projekti që rinia të blejë shtëpi të re.
Sipas tij, rinia do të ketë mundësinë të sigurojë një banesë për vetëm 20% të depozitës, me zero interes. Po ashtu, ai theksoi se për çiftet që kanë 3 fëmijë, kredia deri në 30 mijë euro do të falet plotësisht.
“Më 12 maj, Shqipëria Madhështore do jetë realitet. Do të zbatojmë projektin, që rinia të blejë shtëpi të re. Qeveria Berisha 3 do i japë mundësi rinisë, që ta ketë banesën e vet. Për 20 përqind të depozitës, rinia do ketë zero interes. Nëse një çift ka 3 fëmijë, kredia 30 mijë euro do falet totalisht. Kjo është paketë e marrë nga partia në pushtet e Hungarisë, që ka në fokus familjen. Shkollat publike do i bëjmë me 8 orë në ditë. Do të ndërtojmë adoleshentë të shëndoshë fizikisht e mendërisht. Shteti do jetë përkrahës i rinisë, kur ata ndërmarrin përsipër të hapin një biznes. Për çdo të ri që kthehet në vend, do ketë lehtësira.”, tha Xhaferri.