Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” i është përgjigjur një komentuesi, i cili thotë se nuk u duhet pasaporta europiane pasi ikin me atë shqiptare. Rama shprehet se pasaporta europiane nuk duhet për të ikur por për të fituar dinjitetin e qytetarit dhe për të qenë të barabartë.
“Pasaporta europiane nuk duhet për të ikur, por për të fituar më në fund dinjitetin e qytetarit të barabartë europian, dinjitetin e udhëtarit europian, dinjitetin e studentit europian, dinjitetin e punëmarrësit europian, dinjitetin e njeriut të lirë dhe të barabartë. Pak janë këto.
Të përçmosh punën e tjetrit është kollaj, por nuk të ndihmon të jetosh më mirë. Përkundrazi. Gjyshja ime thoshte; mllefi e zeza e të zotit.
Besoj se po të interesoheshe pak më shumë për hyrjen në BE, nuk do ti bije kaq shkurt dhe kaq sprapthi.
Edhe krijimi i kushteve ende më të favorshme për të rinjtë, me hyrjen në BE bëhet më lehtë. Kush e lidh ikjen e njerëzve me qeverinë tonë, ose është kundërshtar, ose është shumë i keqkuptuar. Flet pastaj dhe mbrapsht të ndjehet i mirëkuptuar.
Këtë nuk e ndryshoj dot. Çka mund të ndryshojmë është Shqipëria dhe këtë po e bëjmë përditë. Prandaj Shqipëria sot nuk ka lidhje fare me atë që ishte.”, shprehet Rama.