Kryetari i PD-së, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e koalicionit në Elbasan. Ish-kryeministri tha se Elbasani nuk mund të jetë qytet i mafies. Tha se i pari i listës së PS-së në Elbasan, Arbjan Mazniku është i lidhur me Ndraghetën.
“Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë. Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Edhe Balla, por Balla është mbrapa.
Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies.Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën se ortakun tënd, Milorancin, antimafia italiane e çoi atë ku duhej të ishte. Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij.
Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se banda aty ku është, se banda në qeveri, se Arbjani i Ndraghetës, se Taulanti i Suel Çelës do shkojnë aty ku e kanë vendin.
Mos mendoni ju se mund të lozni me virtytin, me guximin, me trimërinë e demokratëve, e qytetarëve të Elbasanit. Ju do merrni atë që meritoni. Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, është i qytetërimit, është i burrërisë, është i mençurisë”, tha Berisha.