-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Adri Nurellari: Kur kriza e lidershipit maskohet si kërcënim kombëtar

Kryesoret

Në një moment kur Kosovës i nevojitet maturi, bashkëpunim institucional dhe forcim i konsensusit demokratik, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e tij të preferuar: instrumentalizimin e çështjeve të sigurisë për përfitime politike. Thirrja e fundit e Këshillit të Sigurisë, jo për ndonjë kërcënim real ndaj vendit, por për të mbuluar dështimin në formimin e një koalicioni të ri qeverisës, shënon një tjetër kapitull shqetësues të përdorimit të institucioneve si armë pushteti.

Pasi partitë jo-serbe të pakicës nuk pranojnë të bashkëpunojnë me të – ose kanë kërkesa legjitime që ai refuzon – Kurti e trajton këtë situatë politike si krizë sigurie kombëtare. Pra, paaftësia e tij për të bashkëjetuar me pluralizmin dhe për të ndërtuar konsensus institucional, shndërrohet në alarm kombëtar.

Dështimi i tij për të ndërtuar konsensus politik po paraqitet me vetëdije si “krizë sigurie”, duke kaluar çdo kufi të pranueshëm në një demokraci funksionale.

Kjo është një praktikë autoritare dhe tejet e rrezikshme: instrumentalizimi i institucioneve të sigurisë për të bërë presion ndaj partnerëve të mundshëm, vetëm që të sigurojë mbijetesën e tij politike. Nuk është hera e parë që Kurti e përdor sigurinë si armë për të mbytur çdo debat dhe për të fshehur mungesën totale të rezultateve në fusha të tjera.

Është pjesë e një modeli të qartë ku siguria është bërë mjet propagande, për të zëvendësuar mungesën e rezultateve konkrete në fusha të tjera. Gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti nuk ka ndërtuar rrugë, nuk ka çuar përpara reforma në arsim e shëndetësi, nuk ka sjellë investime madhore apo hapur vende të reja pune dhe nuk ka përmbushur asnjë premtim elemtoral. E vetmja pikë ku ka përqendruar retorikën e tij është “kontrolli i veriut” dhe “shkëputja nga kthetrat e Beogradit”.

Është i njëjti kryeministër që nga njëra anë , me bujë propagandistike, shpallte se veriu u “çlirua” dhe është nën kontroll të plotë, dhe nga ana tjetër ndodhi sulmi terrorist i Banjskës dhe një vit më pas ai në kanalin nevralgjik të Ibër-Lepencit.  Të dy këto ishin sulme të paprecedentë që përgënjeshtronin çdo pretendim të Kurtit për stabilitet dhe kontroll.

Nga njëra anë, Kurti dërgon kamerat për të filmuar mbylljen e postave të Serbisë në veri, dhe nga ana tjetër i kërkon NATO-s 1000 trupa shtesë për të ruajtur atë që ai e quan “kontroll të plotë”. Nga njëra anë, deklaron hapjen e bizneseve shqiptare në veri si shenjë të kthimit të normalitetit, ndërsa nga ana tjetër, zgjedhjet atje zhvillohen në kontenierë të improvizuar, jo në shkolla apo institucione publike si më parë – duke shkelur kështu, çdo standard minimal demokratik.

Kjo është tabloja e një qeverisjeje që nuk njeh kufij institucionalë, që i shmanget llogaridhënies dhe që shndërron çdo sfidë në krizë për të ruajtur pushtetin. Dhe më tragjikja është se, përkundër retorikës për “shkëputje nga Beogradi”, sot po del se vetë Beogradi jo vetëm që nuk është larguar nga Kosova, por ka aq ndikim sa të kushtëzojë edhe qëndrimet e partive jo-serbe në Kuvendin e Kosovës.

Por kjo sjellje nuk është thjesht një strategji politike për të larguar vëmendjen nga dështimet – është shenjë e një mentaliteti totalitar që refuzon pluralizmin dhe që çdo interes apo mendim ndryshe e trajton si armik, qoftë kur vjen nga aleatët ndërkombëtarë, sindikatat, shoqëria civile, mediat e pavarura e qoftë kur vjen nga partitë e tjera politike, si në këtë rast. Në vend të dialogut, preferohet përjashtimi; në vend të bashkëpunimit, etiketimi; në vend të reformimit, propaganda.

Kur nuk ke vizion për zhvillim, kur nuk ke rezultate për të treguar, dhe kur nuk ke guxim për të ndërtuar dialog institucional, mbetet vetëm një mjet: propaganda dhe frika. Në fund, çfarë kemi sot? Një kryeministër kontradiktor që flet për “sovranitet e kontroll të plotë”, por kërkon trupa të huaja për ta mbështetur; që flet për parime e vlera, por nuk pranon kërkesa të brendshme legjitime nga partitë e pakicave; që flet për demokraci, por përdor institucionet e sigurisë për të bërë presion tek zërat ndryshe.

Pra në fund të ditës, kjo nuk është më çështje sigurie – Kjo është krizë e thellë e lidershipit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit