Prokuroria Themelore e Prizrenit ka konfirmuar se dy qytetarë serbë të arrestuar më 6 prill në Prizren, janë liruar në mungesë të provave.
“Është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Këtë vendim, prokuroria tha se e ka ndërmarrë pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë dhe analizimit të të gjitha provave. Më 5 dhe 6 prill, në Prizren dhe Gjakovë, policia arrestoi 16 qytetarë serbë, përfshirë serbë nga Kosova dhe Serbia.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese lehtësia e lirimit të serbëve të arrestuar të dielën në Prizren, për të cilët ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë.