Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë në ambientet e Tirana Industrial Park. Rama tha se Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina ushtarake të gjeneratës së fundit.
“Sot Shqipëria po përjeton një kthesë për të cilën ne jemi përpjekur për një kohë të gjatë. Dhe kthesa është në dinamikën e vet. Dua të kujtoj që industrinë ushtarake ne po e krijojmë nga e para. Prodhimet do të jenë “Made in Albania” dhe Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina ushtarake të gjeneratës së fundit. Janë një sërë iniciativash të tjera në fushën e industrisë ushtarake që do të na japin mundësinë që jo vetëm të prodhojmë në Shqipëri duke ndërtuar partneritete shumë të forta, por do të na japin mundësinë jo vetëm të krijojnë të ardhura, por edhe duke krijuar një front të ri punësimi për vajza dhe djem të mirëedukuar në profesionet e nevojshme që të kenë paga shumë të larta. Ka edhe persona që nuk u shkon mendja që në Shqipëri mund të ketë kompani që kanë paga më të mira se sa në Greqi. Por nëse shohim rritjen e prodhimit të përgjithshëm sot e kemi afro 25 miliardë euro dhe kjo është rritur nga puna nga kompanitë, dhe sot kemi nivelin më të ulët historik të papunësisë”, tha Rama.