Me propozim të kryeministrit Edi Rama, shumica socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore, për një ndryshim në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilës synohet që të zgjerohet lista e posteve kushtetuese që nuk mund të pezullohen nga gjykata në detyrën a shërbimin publik që kryejnë.
Në të, veç personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, siç parashikohet aktualisht, do të shtohen Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur për një koment, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj deklaroi se nuk mund të prononcohet për nisma ligjore. “Shqyrtimi i tyre është kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Presidenti e shpreh qendrimin e tij vetëm pasi nismat shndërrohen në ligj dhe vetëm në përputhje me kompetencën që ka për shpalljen e ligjeve” tha ai, njofton Presidenca.









