Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali ka vijuar sot fushatën në qytetin e Kavajës.Spiropali bashkë me kandidatët Pandeli Majko, Ilva Gjuzi dhe Eldi Çepeli u takuan me banorë të qytetit të Kavajës.
Ajo u shpreh se Kavaja ka zgjedhur Partinë Socialiste dhe Bashkimin Europian. Spiropali nënvizoi se kundërshtarët nuk janë kundër Partisë Socialiste, por janë kundër Kavajës.
“Sot në sytë tuaj shoh fitoren e denjë dhe të merituar të socialistëve të Kavajës dhe për Kavajën, si bashkia më e rëndësishme e simbolike për fitoren tonë në qarkun e Tiranës. Jemi një skuadër fituese dhe e përkushtuar për qytetarët.Vota për Edi Ramën shkon përtej kufijve partiakë e politikë dhe do ta çojë Kavajën aty ku meriton. Jam shumë e nderuar të jem drejtuese në Qark dhe deputete në Kavajë.
Kavaja zgjedh më të mirën dhe më e mira është Partia Socialiste dhe alternativa e saj: Bashkimi Europian. Ne nuk kemi rënë nga qielli, por jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë para Shqipërisë dhe qytetarëve. Me Shqipërinë në BE, hapen shtigje te reja zhvillimi e transformimi për Kavajën, për rininë, arsimin, universitetet, bujqësinë dhe fermerët, shëndetësinë, infrastrukturën, pushtetin lokal dhe komunitetet, më shumë të ardhura e mirëqenie. Integrimi në Bashkimin Europian është në dorën tonë. Ne nuk ecim, por vrapojmë drejt të ardhmes europiane, familjes së madhe që ndihmon anëtarët e rinj. Nuk duhet dhe nuk do ta humbasim këtë shans.
Ne kemi vetëm një zgjedhje: me Kavajën dhe qytetarët e saj, drejt familjes europiane; kundërshtarët tanë duan ta mbajnë Kavajën dhe gjithë Shqipërinë në baltën e kënetës. E shkuara nuk mund të shitet si e ardhme.
Kundërshtarët tanë nuk janë kundër Partisë Socialiste, por janë kundër Kavajës. Prandaj ky qytet është dhe do të jetë më shumë në qendër të vëmendjes së Qeverisë socialiste. Ne, si skuadër fituese, jemi dhe do të mbetemi këtu për Kavajën.”, u shpreh Spiropali.