Sa herë që mban miting Slawomir Mentzen, turmat duket se bëhen më të mëdha. Brenda pak javësh, 38-vjeçari i së djathtës së rreptë ka fituar shumë popullaritet, duke arritur në vendin e dytë në garën presidenciale të Polonisë.
Zoti Mentzen dikur ka thënë se partia e tij ishte kundër “çifutëve, homoseksualëve, abortit, taksave dhe Bashkimit Europian”. Tani, ai ka një mesazh të ri të fuqishëm: armiqësinë ndaj Ukrainës. Një sondazh i fundit tregon se një në pesë votues polakë e mbështesin.
Kundërshtarët e emigracionit dhe internacionalizmit liberal në Europë dhe gjetiu kishin shpresa se kthimi i presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale do të ndizte entuziazmin e votuesve për të djathtën e rreptë.
Në një pamje të parë, duket se Trump po e forcon me të vërtetë të djathtën e fortë në Poloni. Në një miting të kohëve të fundit të Mentzen-it në qytetin e vogël Legnica, një djalosh me një model flokësh të çuditshëm, tha para turmës se “në Amerikë, njerëzit u zgjuan… ata zgjodhën Donald Trump”.
Duke bërë krahasimin me atdheun, ai këmbënguli se “në të gjithë botën, do të dëgjoni të njëjtën gjë: Mjaft!”
Por po të analizojmë gjendjen pak më thellë, del një pamje tjetër, sepse ngritja e zotit Mentzen vjen në kurriz të partisë kryesore të djathtë në Poloni, “Ligj dhe Drejtësi” (PiS).
Kjo ndarje votash në krahun e djathtë në Poloni nuk është vetëm një shembull i qartë se si Trump po trazon politikat jashtë Amerikës. Gjithashtu tregon se ai po ndikon në politikën ndërkombëtare në mënyra që shpesh janë të papritura dhe të paparashikueshme.
Edhe pse Trump dhe lëvizja e tij MAGA kishin si qëllim ndryshimin e politikës amerikane, valët që ata po shkaktojnë në atdhe po trondisin partitë në mbarë botën.
Në disa raste, Trump ka forcuar edhe popullaritetin e pushtetarëve, shumë prej të cilëve kanë pikëpamje centriste, liberale apo edhe të majta, që janë në kundërshtim me politikat e tij “America First” për emigracionin, tregtinë dhe aleancat e mbrojtjes.
Në vende të tjera, Trump ka shkaktuar ndarjen e mbështetjes për partitë e djathta, ose ka krijuar probleme për udhëheqësit e tyre. Këto probleme kanë lindur për shkak të debateve të Trump me aleatët europianë të Amerikës dhe butësisë së tij ndaj Rusisë.
Ky lloj “efekti Trump” është më i fortë në ato shtete me të cilat presidenti amerikan ka nisur debatet (shih grafikun 1). Që kur Trump e qortoi Volodymyr Zelensky-n në Zyrën Ovale në shkurt, mbështetja për presidentin ukrainas është rritur me dhjetë pikë, duke arritur në 67%.
Partia Liberale e Kanadasë ka përfituar nga një rritje edhe më mbresëlënëse popullariteti prej 23 pikësh që nga dhjetori, pasi Trump nisi një luftë tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.
Në rritjen e popullaritetit të partisë liberale kanadeze mund të ketë ndikuar edhe largimi i udhëheqësit të saj Justin Trudeau, por kjo nuk është arsyeja e vetme: edhe vetë popullariteti i ish-kryeministrit Trudeau u rrit me 14 pikë. Meksikanët gjithashtu po bëhen më nacionalistë në përgjigje të ngacmimeve të Trump.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka fituar shtatë pikë në popullaritet, duke gëzuar miratimin e 71% të votuesve meksikanë. Në Danimarkë, mbështetja për socialdemokratët në detyrë është rritur me pesë pikë që kur Trump nisi kërkesat për marrjen e Groenlandës.
Aleatët ndërkombëtarë të Trump (të cilët e përshkruajnë veten si “konservatorë kombëtarë”), kishin pritur që fitorja e Trump ta bënte politikën e së djathtës së rreptë, më të besueshme në sytë e votuesve.
Menjëherë pasi Trump mori detyrën, udhëheqësit europianë të së djathtës populiste u mblodhën në Madrid, duke pretenduar se do ta “bënin Europën përsëri madhështore” (megjithëse akronimi MEGA nuk ka ngjitur në Europë). Kryeministri hungarez Viktor Orban, tha: “Tornado Trump ka ndryshuar botën në vetëm pak javë”.
Por vala populiste e Trump nuk është ngritur ashtu siç pritej, pavarësisht përpjekjeve të shumë mbështetësve të Trump për ta bërë administratën e tij dhe lëvizjen më të gjerë MAGA, një frymëzim dhe shembull për populistët e krahut të djathtë në mbarë botën.
Një nga veprimet kryesore ka qenë tërheqja e fondeve amerikane për nismat që përkrahin larminë, barazinë dhe përfshirjen jashtë vendit.
Në shkurt, gjatë një vizitë në Gjermani, zëvendëspresidenti i Trump, zoti J.D. Vance, kritikoi udhëheqësit europianë për mosbashkëpunimin me partitë e krahut të djathtë. Dhe në një takim me kryeministrin britanik Keir Starmer, ai u ankua për ligjet e Britanisë kundër gjuhës së urrejtjes.
Elon Musk, miliarderi i cili zotëron autoritet të madh në administratën e Trump, thuhet se ka rënë dakord për të paguar tarifat ligjore të Tommy Robinson, një aktivist anglez anti-islamik që është burgosur.
Aleatët e Trump gjithashtu kanë bërë përpjekje për të ndihmuar partinë e djathtë gjermane “Alternativa për Gjermaninë” (AfD). Musk e ka mbështetur atë publikisht, ndërsa J. D. Vance është takuar me anëtarët e partisë.
Megjithatë, Vance dhe Musk nuk patën ndonjë ndikim të dukshëm në zgjedhjet gjermane në shkurt, thotë Roland Abold nga anketa Infratest. Edhe pse partia AfD doli në vend të dytë, popullariteti i saj nuk ishte rritur që nga rizgjedhja e Trump.
Në fakt, në përgjithësi, efekti i menjëhershëm i Trump ka qenë rritja e popullaritetit të pushtetarëve, në kurriz të opozitarëve populistë. Frika nga luftërat tregtare dhe luftërat reale kanë larguar vëmendjen nga luftërat kulturore.
Madje, disa udhëheqës të së djathtës së rreptë tani kanë filluar të shqetësohen se lëvizja MAGA do të përbaltë emrin e tyre. Trump deri tani ka pasur pak fitore të qarta dhe gjithandej ka shkaktuar katrahura (siç tregon rënia e tregjeve dhe zbehja e popullaritetit të tij mes amerikanëve).
I është kushtuar shumë energji debateve me armiqtë politikë të brendshëm, gjëra që jashtë Amerikës nuk shihen me interes.
Dhe Trump është jashtëzakonisht i papëlqyer në shumë demokraci liberale, me përjashtim të atyre njerëzve që mbështesin të djathtën e rreptë (shih grafikun 2).
Një sondazh në Londër konstaton se ardhja në pushtet e Trump nuk u ka dhënë partive të djathta britanike një vrull të ri politik. Përkundrazi, duket se i ka shtyrë votuesit më larg dhe i ka bërë më të pavendosur.
Çdo përfitim që Trump mund t’u ketë dhënë partive të krahut të djathtë në botë, “po mbetet në hije për shkak të nacionalizmit të tij politik ekspansionist dhe të ashpër”, thotë Eric Kaufmann, profesor në Universitetin Buckingham.
Ai shpjegon se politika e Trump “America First”, “po nxit mbrojtjen politike në shtetet e tjera”. Pikëpamjet ndaj Amerikës janë bërë shumë negative në disa vende perëndimore.
Kanadezët po bërtasin gjatë këndimit të himnit kombëtar të Amerikës në lojërat e hokejit, banorët e Groenlandës po protestojnë jashtë konsullatës amerikane dhe gjermanët po bojkotojnë blerjen e makinave Tesla në shenjë proteste kundër Elon Musk.
Fillimisht, Nigel Farage nga Partia “Reform” në Mbretërinë e Bashkuar, e përshëndeti fitoren e Trump si një pikë kthese për të djathtën nacionaliste në botë, por tani ai po mënjanohet nga presidenti amerikan.
Farage e ka përdorur prej kohësh miqësinë e tij me Trump për t’i dhënë rëndësi vetes në atdhe, por midis shkurtit dhe marsit pësoi rënie të popullaritetit me 12 pikë.
Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë së djathtë “Rassemblement National” në Francë, dhe Giorgia Meloni, kryeministrja italiane e krahut të djathtë, duhej të ishin mbështetëse të natyrshme të Trump, për shkak të pikëpamjeve të ngjashme politike.
E megjithatë, ai po u shkakton të dyjave probleme në vendet e tyre, për shkak të qëndrimeve armiqësore ndaj Europës, duke shpërfillur edhe faktin se shumë ushtarë europianë janë sakrifikuar në luftërat e Amerikës në Irak dhe Afganistan.
Një tjetër çështje që po ndan populistët në vende si Polonia, është prirja e Trump për të braktisur Ukrainën dhe për të lidhur marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin.
“A nuk duhet të shpenzohen paratë e taksapaguesve polakë për nevojat e polakëve, jo për nevojat e fqinjëve tanë ukrainas?” tha Mentzen kohët e fundit në një miting.
Ndërkohë, rivali tjetër i djathtë, nuk e ka ulur mbështetjen për Ukrainën dhe ka paguar një çmim politik.
Poshtërimi i Zelenskit në Zyrën Ovale në shkurt është një tjetër çështje që i ka ndarë aleatët e huaj të Trump. Disa politikanë europianë, si zonja Le Pen dhe Geert Wilders nga e djathta e rreptë holandeze, dolën në mbështetje të Ukrainës.
Ndërsa të tjerë, si partia AfD e Gjermanisë, zoti Orban i Hungarisë dhe udhëheqësi i Gjeorgjisë, mbështetën Trump.
Ndarje të tilla kanë ndikim. Lëvizjet populiste e kanë fituar popullaritetin duke u përqendruar kryesisht në luftërat kulturore dhe emigracionin, jo në politikën e jashtme.
Ndërsa liberalët besojnë në vlerat e përbotshme, nacionalistët e vënë theksin mbi identitetin unik kombëtar.
Megjithëse elitat populiste në përgjithësi e mbështesin Trump në afrimitetin me Rusinë, votuesit e tyre janë të ndarë në lidhje me Rusinë dhe Ukrainën (shih grafikun 3).
Vetëm një pakicë e mbështetësve të partisë gjermane AfD e shohin Rusinë si një kërcënim.
Në të kundërt, mospëlqimi ndaj Trump mes mbështetësve të Farage në Britani, pothuajse u dyfishua në 53%, pas debatit me Zelenskin në Zyrën Ovale.
Për më tepër, teksa një nacionalist ndjek në mënyrë të pareshtur interesat e vendit të tij, do të vijë një pikë kur këto interesa do të bien ndesh me interesat e një vendi tjetër.
Për shembull, partia e djathtë polake PiS ka një interes të madh për një NATO të fortë, që të shmangë ndonjë sulm rus.
Por duke qenë se Trump ka hequr dorë nga mbrojtja e Europës, çdo lidhje me të është bërë e padobishme, thotë Wojciech Szacki, analist politik polak.
Për më tepër, Trump duket i painteresuar për të ndihmuar të djathtët e tjerë në botë. Kur e pyetën më 19 mars nëse i ka dëmtuar konservatorët e Kanadasë në zgjedhjet e këtij viti, Trump tha: “Nuk më intereson.
Nuk ka fare rëndësi për mua”./ The Economist