Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me fermerët në fshatin Strum në Roskovec. Bardhi shprehet se në 12 vjet fermerët janë përballur me rritjen e çmimit të plehrave kimikë.
“Çdo investim e bëjmë me krahët tanë. Nuk kemi asnjë mbështetje”- është një frazë që e dëgjon nga çdo fermer aty, që ka një serë. Në 12 vjet braktisje nga qeveria, fermerët janë përballur edhe me rritjen e paarsyeshme të çmimit të plehrave kimikë, duke bërë që fitimi nga puna e lodhshme të jetë krejt i vogël. “Na i blejnë domatet me 500 lëk/kg në serë dhe i shesin me 2 mijë lekë në Tiranë. Abuzojnë edhe me ne si prodhues, edhe me qytetarin si blerës, sepse janë të lidhur me zinxhirin e pushtetit”- më tha njëri nga fermerët e serave me domate në Strum. “, thotë Bardhi.
Ai thekson se me Partinë Demokratike do të merret fund braktisja e fermerëve, si dhe thotë se kanë një plan që i financon ata që në bazë të prodhimit. Gjithashtu nënvizon që me 11 maj të votojnë ndryshimin dhe për Partinë Demokratike.
“Me Partinë Demokratike në krye të qeverisë merr fund braktisja e fermerëve. Ne kemi një plan konkret që financon fermerin në bazë të prodhimit, pa kaluar në kurthin e burokracisë korruptive. Trajtimi selektiv merr fund. Kush prodhon, ai subvencionohet nga qeveria.”, shprehet Bardhi.