Ministri i Drejtësisë i Francës tha se qeveria nuk do të dorëzohej ndaj “akteve të frikësimit” pas një vale sulmesh që synonin burgjet në të gjithë vendin.
Të hënën mbrëma, automjetet u dogjën jashtë disa burgjeve franceze dhe një burg u godit me armë zjarri, në atë që Gerald Darmanin e përshkroi si “sulme terroriste”.
Ministri i Drejtësisë i Francës Darmanin vizitoi burgun La Farlede të Toulonit, ku persona të armatosur hapën zjarr mbi portën e burgut me një kallashnikov, ndërkohë që Prokuroria e Francës kundër terrorizmit ka nisur një hetim.
“Jam i kënaqur që zyra e prokurorisë kombëtare kundër terrorizmit ka ndërmarrë veprime sepse kjo është jashtëzakonisht serioze. Këto janë sulme terroriste. Mjete të rëndësishme po përdoren për të gjetur autorët dhe ata do të marrin dënime jashtëzakonisht të rënda”, u tha ai gazetarëve.