Ka dështuar për të dytën herë të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takimin që ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike ka parë që qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar.
Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë pas dy ditësh, më 19 prill në orën 12:00. Kundër kësaj ndërprerje është shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë.
Kosova në krizë/ Kuvendi pa betim, Vetëvendosje: Po e bllokon opozita
Të martën, deputetët dështuan të miratonin pikën e parë, atë të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumeve. PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, duhet që më herët të japin dorëheqje.
Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.