Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet në Berat ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Berisha akuzon qeverinë për mashtrim dhe braktisje të qytetit të Beratit. Ai tha se qeveria premtoi për transformimin e ishullit të Osumit por nuk i realizoi.
“Të dashur miq, ditët po na afrojnë një datë të madhe, një ngjarje të madhe, një datë që do ndajë eopkat, do ndajë narko-diktaturën, do ndajë 12 vite, në të cilat shqiptarët u larguan nga Berati, u larguan nga trojet e tyre sa kurrë ndonjëherë në tërë historinë qindra e qindra vjeçare. Pra, po shkojmë drejt një vendimi të madh, që çdo qytetare dhe qytetar i Beratit, i këtij qarku dhe tërë Shqipërisë do marrë më 11 maj për t’u ndarë me një të keqe e cila dëmtoi kombin, zbrazi Shqipërinë, pakësoi shqiptarët sa asnjë luftë, sa asnjë epidemi, sa asnjë fatkeqësi në tërë historinë e tyre.
Miq, sot është një moment për t’u përulur me nderim të madh shumë, para baballërëve, gjyshërve, stërgjyshërve tuaj, të cilët këtu buzë Osumit ndërtuan një kryevepër madheshtore, siç është qyteti juaj. E vendosën Beratin në kurorën e trashëgimisë së qytetërimit botëror. Berati madhështor është vepra e tyre e pavdekshme, e përjetshme. Berati madhështor është frymëzim i madh për çdo shqiptare dhe shqiptar , për çdo beratase dhe për çdo beratas, për të bërë çdo gjë, për t’u ngritur në lartësinë e kësaj madhështie që trashëgojmë ne në këtë qytet. Pra, Berati, diamant në kurorën e kulturës botërore, këto 12 vite njohu braktisje, braktisje dhe vetëm braktisje. Berati, të cilit iu premtua ishulli i Osumit, premtimin e ishillit e mori lumi. Kurse, Edi Ramës i ngelet turpi dhe mashtrimi”, tha Berisha.