Katër të plagosur mbrëmë, mes të cilëve dy fëmijë…
Supozohet se ka qenë gabim në shënjestër. Të paktën kështu referon media pistën e hetimit të policisë. Vrasësit kanë ngatërruar makinën.
Më saktë ka qenë e njëjta makinë dhe me targë të ngjashme. Do të vritej një grua, gruaja e një vrasësi që ishte vrarë një vit më parë në Greqi. Dje i kishin vrarë të atin në Lezhë. Aksioni vazhdonte, deri në frymorin e fundit…
O Perëndi, nëse vërtet ekziston, vër dorë se këtu duhesh më shumë se kudo tjetër.
Nuk është thjeshtë çështje rendi, policie e drejtësie.
Gjithnjë e më shumë bindem se është rraca. Geni Pellazg diku do të ketë marrë ujë rrugës dhe është prishur formula.
Grupe kriminale, fisnore më së shumti, pasi prishen për një pazar apo zihen duke pirë, vazhdojnë e vrasin njëri-tjetrin pa mëshirë, për një vrasin edhe tre. Nuk ka rëndësi “dëmi anësor”. Pastaj vazhdojnë me familjarët, vrasin prindërit, gratë, fëmijët, fare-fisin, deri tek kushuri i 5-të.
E ndjekin prenë deri në Zelandën e Re, nuk u zë vend shpirti pa marrë hak e gjak. Dhe, kur nuk mundemi vetë, e lëmë me testament, e lëmë amanet.
Kjo nuk është as MAFIA, mafia nuk vret, ose ajo vret pasi kanë dështuar format e tjera të korruptimit dhe dhunës. Këta janë tufa çakenjsh që vriten edhe pse të shërbeu kamarieri ty para meje.