Negociatorët iranianë dhe amerikanë zhvilluan rundin e dytë të bisedimeve kritike mbi ambiciet bërthamore të Teheranit, teksa Shtëpia e Bardhë ka dalë me mesazhe të përziera lidhur me një veprim të mundshëm ushtarak dhe ka edhe kërkesa të reja për përpjekjet iraniane.
Takimi i 19 prillit u zhvillua një javë pasi dy palët u takuan në Oman, që ishte takimi i parë i nivelit të lartë i zhvilluar pas shumë vitesh mes Uashingtonit dhe Teheranit.
I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, udhëhoqën delegacionet e tyre në bisedimet në Romë.
Teherani është “i vetëdijshëm se nuk është një rrugë e lehtë, por ne hedhim çdo hap me sytë hapur, duke u mbështetur edhe në përvojat e kaluara”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, në një postim në X përpara takimeve.
Një ditë më parë, Araqchi tha se kishte dyshime për qëllimet e amerikanëve.
Ndërkohë, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se shpreson që bisedimet me Iranin të jenë “të frytshme.”
“Të gjithë do të preferonim një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme”, tha ai pas takimeve në Paris.
Por, shtoi ai, se “duhet të jetë diçka që jo vetëm e ndalon Iranin të ketë armë bërthamore tani, por edhe në të ardhmen”.
Rubio tha se shpreson që bisedimet me Iranin të jenë “të frytshme”.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore e kanë akuzuar prej kohësh Iranin se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore. Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se përpjekjet e tij janë për qëllime civile, si prodhimi i energjisë elektrike.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, presidenti Donald Trump, që ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, rinisi fushatën e “presionit maksimal” të sanksioneve ndaj Iranit.
Muajin e kaluar, ai i dërgoi një letër liderit suprem të Iranit duke i bërë thirrje për rifillimin e bisedimeve, teksa paralajmëroi për një veprim ushtarak nëse diplomacia dështon.
Gjatë javës së fundit, Trump dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kanë dërguar mesazhe të ndryshme dhe ndonjëherë kontradiktore rreth qasjes së SHBA-së ndaj bisedimeve. Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar dërgimin e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi në rajon, si dhe një aeroplanmbajtëse.
“Nuk kam nguti” për të përdorur opsionin ushtarak, u tha Trump gazetarëve më 17 prill. “Mendoj se Irani dëshiron të bisedojë”.
Më 18 prill, ai u shpreh: “Unë jam për ndalimin e Iranit, shumë thjesht, nga posedimi i një armë bërthamore. Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Dua që Irani të jetë i mrekullueshëm, i begatë dhe fantastik”.
Në një intervistë më 14 prill për Fox News, Steve Witkoff tha se SHBA-ja ishte e hapur ndaj një programi bërthamor të kufizuar për Iranin.
Por, më pas ai e tërhoqi atë deklaratë përmes një postimo në rrjetet sociale, duke sugjeruar se i gjithë programi duhej shkatërruar.
Roli i Izraelit në debatin mbi ambiciet bërthamore të Iranit është gjithashtu vendimtar. Zyrtarët izraelitë janë zotuar ta pengojnë Teheranin që të ketë armë bërthamore, dhe sipas disa mediave, nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane në muajt në vijim.
Ndërkohë, Trump thuhet se i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se Uashingtoni nuk e mbështet një lëvizje të tillë.
Ish-zyrtarë dhe ekspertë kanë thënë prej kohësh se Izraeli do të kishte nevojë për mbështetje të konsiderueshme ushtarake – dhe armë – nga SHBA-ja për të shkatërruar objektet dhe rezervat bërthamore të Iranit, disa prej të cilave ndodhen në ndërtesa nëntokësore./REL