Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij është e interesuar që të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
“Më vjen keq që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’po ka mirëkuptim për kalimin e kësaj situate”, është shprehur ai në hollin e Kuvendit, pasi kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.
“Beteja politike nuk është zhvilluar asnjëherë për kryetar Kuvendi dhe për konstituim Kuvendi”, ka thënë Haradinaj.
“Qëndrimet tona sa i përket Qeverisë i dini, jemi për qeveri të opozitës”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se “nëse LVV-ja gjen zgjidhje tjetër, të shohim si do të ec tutje”.
“Do të ishte në interesin e tyre ta prezantojnë një kandidaturë unifikuese, të kalojë ky bllokim”, ka deklaruar kreu i AAK-së.
Haradinaj ka thënë se përgjegjësia për dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit bie mbi LVV-në.
“Faji bie mbi atë që s’e ka shumicën e s’jep opsion bashkëpunimi. Nëse u duhen votat tona, duhet bashkëpunim”, është shprehur ai.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, teksa ka thënë se “edhe për të shkuar në zgjedhje duhet dakordimi i opozitës”.