Partia Demokratike i është drejtuar me kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me regjistrimin e dyfishtë të votuesve të diasporës për zgjedhjet e 11 majit.
Rreth 137 votues të diasporës janë regjistruar dy herë dhe Partia Demokratike kërkon informacion në lidhje me masat që janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë.
“Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.
Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit “Online” dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate. Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së.
Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon:
Sa raste të tilla me vendim gjykate, janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë?
Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë?
Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë ç’regjistruar nga listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?
Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese“, thuhet në shkresën zyrtare që mban firmën e Franci Nurit, përfaqësues i subjektit zgjedhor PD-ASHM në KQZ.