Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka takuar Këshillin e Prindërve të Tiranës.
Fokusi i takimit ishte diskutimi dhe marrja e masave, për koordinimin më të mirë të zinxhirit të përgjegjësive, me qëllim përmbushjen e një prej prioriteteve absolute të punës së Policisë së Shtetit, garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Në takim Proda garantoi Këshillin e Prindërve të Tiranës, se strukturat e Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin janë maksimalisht të angazhuara për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar veprimet me të gjithë aktorët e zinxhirit të sigurisë në shkolla.
“Policia e Shtetit e ka prioritetet sigurinë në shkolla. Policia vlerëson maksimalisht çdo konflikt, edhe ato të vogla ndërmjet bashkëmoshatarëve, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe patjetër, me bordet e prindërve që kanë një rol thelbësor në këtë proces. Kam dhënë porosi të veçantë që pavarësisht ngarkesës që kanë shërbimet policore, të intensifikojnë monitorimet në shkolla, sidomos gjatë javëve të fundit të mësimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë, punonjësit socialë dhe me policitë bashkiake.”, tha Proda.