Të paktën 16 persona, përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra, humbën jetën si pasojë e sulmeve të reja izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi sot Shërbimi i Mbrojtjes Civile në enklavën palestineze.
Sipas zëdhënësit Mahmoud Bassal, gjashtë civilë u vranë gjatë bombardimeve të natës në qytetin Khan Younis. Dy prej viktimave ndodheshin në një tendë në zonën Abbasan, ndërsa katër të tjerë, përfshirë fëmijë të moshës pesë dhe dy vjeç, humbën jetën në një apartament në al-Mawasi.
Po në al-Mawasi, një tjetër sulm goditi një kamion, duke shkaktuar vdekjen e dhjetë personave të tjerë, mes tyre një fëmijë dhe shtatë gra.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi këto ngjarje, por në një deklaratë të publikuar mëngjesin e sotëm, ajo njofton se ka goditur mbi 100 “objektiva terroriste” në Gaza gjatë 48 orëve të fundit.
Forcat izraelite deklarojnë gjithashtu se kanë zbuluar “depo armësh” dhe kanë vrarë “shumë militantë” në zonat jugore të enklavës, e cila ndodhet nën bllokadë të plotë që prej më shumë se dy muajsh.