-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Evarist Beqiri: Çfarë Shqipërie dua unë?

Kryesoret

Më 11 maj përballen tre realitete: një mazhorancë që kërkon të ruajë stabilitetin me argumentin e reformave dhe integrimit në BE; një opozitë e përçarë që ende lufton për identitetin e saj; një shoqëri e lodhur nga polarizimi dhe e etur për një politikë me në qendër qytetarin. Zgjedhja nuk është vetëm ndërmjet partive, por ndërmjet dy mendësive të ndryshme: 1. Mendësia që konsolidon institucione dhe gradualisht hapet ndaj meritës; ose 2. Mendësia që ripërsërit të shkuarën dhe bazohet në retorikë të vjetër e përjashtuese. Ndërkohë, kombi po përjeton një krizë shpirtërore dhe ka nevojë për njerëz idealist, të cilët mund të kompesojnë kotësinë e zbrazëtisë shpirtërore të ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët kërkojnë më shumë sesa thjesht rotacionin apo vazhdimësinë.

Mazhoranca ka avantazhe objektive, por e ardhmja do të varet nga aftësia për të reflektuar, për të bashkëpunuar dhe për të promovuar një lidership të hapur. Opozita ende nuk ka një narrativë gjithëpërfshirëse. Lufta për protagonizëm personal dhe financimet e dyshimta e kanë zbehur besueshmërinë e tyre. Alternativa mungon sërish.

Pyetja që vjen natyrshëm është çfarë Shqipërie dua unë përtej 11 majit? Unë dua një Shqipëri ku drejtësia të mos ketë ngjyrë politike, ku meritokracia të jetë kriter dhe jo përjashtim. Një Shqipëri që nuk shan, por kupton. Shqipëria e 12 majit duhet të jetë ajo ku politika ndalet së trajtuari pushtetin si pronë, dhe qytetarin si instrument. Ajo ku bashkëpunimi nuk është shenjë dobësie, por pjekurie. Shqipëria ka nevojë për njerëz, që nuk e shikojnë pushtetin si qëllim në vetvete. Shqipëria ka nevojë për njerëz, që të kontribuojnë për ndërtimin e një hapësire të re politike, ku vota të mos jetë një akt dëshpërimi, por zgjidhje dhe shpresë për një të nesërme më të mirë.

Këto zgjedhje duhen të jenë një deklaratë për zgjidhje. Një dëshmi e asaj çfarë ne vlerësojmë si shoqëri: stabilitetin dhe progresin apo ndryshimin për hir të ndryshimit, fjalën apo veprën, përplasjen apo bashkëpunimin. Në këtë fushatë kemi parë një opozitë që po përpiqet të rishkruajë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen. Por e ardhmja ndërtohet duke reflektuar në të tashmen, mbi gabimet e së shkuarës. Palët  kanë pasur mundësi për të reflektuar. E megjithatë, shqiptarët ende ndihen të papërfaqësuar në thelb.

Unë nuk e shoh të ardhmen në formën e një rotacioni të verbër. Nuk besoj se ndërrimi i emrave zgjidh sfidat e mëdha të Shqipërisë. E ardhmja kërkon liderë të rinj në mendësi, me integritet, dije, dhe vizion që e kalon kufirin e partive. Kjo është Shqipëria që unë dua – ajo që vlerëson pavarësinë institucionale, respektin për ligjin dhe drejtësinë, meritokracinë dhe bashkëpunimin përtej ndasive.

Unë dua një Shqipëri që të ketë pasaportën më të fortë në rajon, jo më të dobëtën. Unë dua një Shqipëri më të përgjegjshme ndaj brezave që do të vijnë pas nesh, si dhe ndaj së vërtetës, edhe kur ajo nuk na pëlqen. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe nuk mund të mbetet peng i halleve personale të asnjë politikani. E kaluara duhet që të na shërbej si mësim, për të bërë më tepër në të tashmen, për të ardhmen.

Kapitali njerëzor si themeli i Shqipërisë së nesërme

Partitë politike që do të përballen më 11 maj duhet që të na jepnin përgjigje të qarta për disa pyetje thelbësore: Si do të ndalojnë largimin e rinjve? Si do t’ju kthejnë shpresën shqiptarëve që të mos largohen nga vendi? Si do të krijojnë më tepër vende pune me vlerë të shtuar? Si do të përkthejnë diplomën në dinjitet ekonomik? Kapitali njerëzor nuk është më vetëm një çështje sociale – është një çështje sigurie kombëtare dhe stabiliteti politik.

Shqipëria ka nevojë për një ekonomi të bazuar mbi dijen, talentin dhe meritën. Ajo nuk duhet që të vazhdojë të humbasë kapitalin e saj më të çmuar: njerëzit. Për shqiptarët që kanë investuar në arsim dhe formimin personal kthimi i këtij investimi nuk mund të realizohet pa një treg pune modern dhe gjithëpërfshirës. Politikat e sotme duhet të përqendrohen në rritjen e produktivitetit, mbajtjen e të rinjve në vend dhe kthimin e diasporës si burim për zhvillim dhe progres. Në këtë frymë e shikoj si një zhvillim tepër pozitiv, hyrjen e qeverisë shqiptare në tregun global të inteligjencës artificiale nëpërmjet partneritetit me kompaninë e Mira Muratit.

Shqipërisë i nevojitet një modeli i ri zhvillimi, që e vendos kapitalin njerëzor në qendër të politikës publike. Për shumë vite, prioritetet kanë qenë të orientuara drejt mbijetesës së momentit dhe jo në të menduarin strategjik drejt ndërtimit të një shoqërie konkurruese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, Shqipëria ka nevojë për një kontratë të re sociale që njeh, zhvillon dhe mbron talentin kombëtar.

Unë dua një Shqipëri që i çmon njerëzit e vet, jo një vend që vazhdon t’i humbasë më të mirët e vet për shkak të mungesës së shpresës dhe mundësive reale. Vota është një akt përgjegjësie qytetare, por edhe një thirrje e heshtur për ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm. Shqipëria ka nevojë për një politikë që e kupton vlerën e kapitalit njerëzor dhe e kthen atë në motor të zhvillimit të vendit.

Shqipëria mes sfidave dhe lodhjes nga politika

Shqipëria nuk ka nevoë për njerëz që bëjnë të fortin me të dobëtin dhe të dobëtin me të fortin. Unë dua një Shqipëri që i kthen sytë tek ata që janë më në nevojë. Një Shqipëri që nuk i harron ata që ndihen sot të braktisur. Unë dua një Shqipëri më sociale dhe më solidare për të gjithë. Shqiptarët kanë nevojë për një politik ndryshe, që përbashkon dhe nuk përçan. Ndërkohë, opozita sot ngjason më tepër me një grupim inatçorësh të egërsuar sesa me një alternativë të besueshme qeverisëse. Dihet se trillimi është më tërheqës sesa e vërteta lakuriq. Por përtej partive, pyetja themelore që shfaqet para nesh është: A do të votojmë me mendje të kthjellët për të ardhmen, apo me brenga për të shkuarën?

11 maji është fillimi, jo mbarimi. Shqipëria që do të lindë më 12 maj do të jetë pasqyrë e asaj që ne kërkuam dhe e asaj që heshtëm. Në këtë klimë politike të polarizuar dhe të mbushur me protagonizëm emocional, Shqipëria ka nevojë për mendje të pavarura, të matura dhe të orientuara drejt së ardhmes. Klasa politike duhet që të dëgjoj zërin e arsyes kombëtare. Ky zë është i domosdoshëm për Shqipërinë që voton më 11 maj, por që do të qeveriset përtej kësaj date. Kjo është pikërisht ajo që i ka munguar shpesh politikës shqiptare: sintonia me interesin kombëtar. Në një vend ku bashkëpunimi shihet si dobësi dhe lavdërimi si marrëveshje e fshehtë, kritika e shëndetshme intelektuale është një domosdoshmëri. Ajo është një manifest për një elitë të re politike dhe intelektuale që nuk ka frikë të thotë të vërtetën, por as nuk e përdor atë si armë përçarjeje.

Shqipëria ka nevojë për një metode të re komunikimi politik, ku mendimi profesional merr vendin e propagandës dhe ku vlerësimi objektiv nuk e heq mundësinë e kritikës së ndershme. Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, sfida reale nuk është vetëm zgjedhja mes partive apo programeve. Sfida më e madhe është nëse do të dimë të kërkojmë lidershipin e duhur për të ardhmen. Një lidership që ndërton dhe jo që shkatërron, që bashkon dhe jo që helmon.

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit politik dhe institucional. Reforma në drejtësi ka kaluar pragun e pakthyeshmërisë, integrimi evropian ka hyrë në një rrugë më konkrete, dhe krizat globale na kanë treguar se qeverisja e mirë është çështje e interesit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, pas 11 majit, Shqipëria ka nevojë për një lidership të urtë, të aftë dhe të përgjegjshëm.

Lidershipi i së ardhmes nuk mund të mbështetet më në retorikë të zbrazët. Nuk ka më vend për ndarje të thella ideologjike. Për protagonizëm të sforcuar apo për dominim të padiskutuar institucional. Nevojitet një frymë e re politike, që di të bashkëpunojë, që respekton meritokracinë dhe që e sheh pushtetin si shërbim fisnik, jo si privilegj.

Unë dua një Shqipëri ku drejtësia funksionon, ekonomia zhvillohet, administrata shërben dhe shteti garanton siguri dhe dinjitet. Asnjë nga këto nuk mund të ndërtohet me modelet e kaluara të lidershipit që shterojnë gjithçka rreth vetes. Në këtë kontekst, përballja e vërtetë nuk është mes pozitës dhe opozitës, por mes një politike të vjetër të konsumit dhe një politike të re të ndërtimit. Më shumë se kurrë, pas këtyre zgjedhjeve do të duhet një bashkëpunim përtej partive, përtej egove, përtej së shkuarës. Do të duhet një elitë e re morale dhe profesionale, që i shërben vendit, jo vetes. Sepse qeveria ekziston për shqiptarët, jo shqiptarët për qeverinë.

Shqipëria nuk ka nevojë për unitet artificial, por për përgjegjësi të përbashkët. Shqipëria nuk mund të ndërtohet vetëm nga ata që e kërkojnë pushtetin me çdo kusht. Ajo ndërtohet nga ata që kanë vizion, guxim dhe përkushtim për të folur dhe për të vepruar ndershmërisht. Prandaj, zgjedhjet e 11 majit janë më shumë se një garë politike. Ato janë një test për të ardhmen. Dhe lidershipi që do të vijë pas tyre, nëse nuk do të dijë të përbashkojë shpresën me përgjegjësinë, rrezikon që të përsërisë sërish gabimet e së shkuarës. Koha nuk pret më. Shqipëria duhet që ta meritojë lidershipin që ka nevojë. Dhe për këtë, të gjithë kemi një rol për të luajtur.

  • Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit