Sot dështoi seanca e 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, po e mban peng Kuvendin e Kosovës. “Deputeti Albin Kurti po e sheh më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa qytetarët e Kosovës”.
Krasniqi tha pas seancës se Kosova duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara sa më parë, duke shtuar se VV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Ky është degradim që asnjë s’e ka paramenduar se do të ndodhë ndonjëherë. Është dhunim i verdiktit të qytetarëve. Pasnesër bëhen 3 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Ky Kuvend ka obligim të konstitojë organizmin përfaqësues të secilit qytetar, por tendenca e VV-së, mospajtimi se s’kanë shumicë po e mban peng këtë proces”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka shtuar se kandidatja e VV-së për kryeparlamentare “do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.
“Ftoj deputetin Albin Kurti që të na tregojë se a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhiun, apo qytetarët. Për deputetin Kurt, Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët”, u shpreh ai.