Shtyhet afati i vlefshmërisë për dokumentet e identitetit që skadojnë deri në 11 maj. Lajmin e njoftoi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Vendimi erdhi pas kërkesës së PD-së pak ditë më parë.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan dy akte shumë të rëndësishme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri në 11 Maj. Këto janë dokumente të domosdoshme për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese së të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 – shtyhet deri në datën 31 maj 2025” tha ai.