Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar pas raportimeve se ai mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pavarësisht shpalljes “non grata”. Lajmi u bë publik nga gazetari amerikan Marc Caputo, i cili përmes një postimi në platformën X, tha se kishte komunikuar me Departamentin e Shtetit dhe kishte marrë konfirmimin se Berisha nuk ka asnjë pengesë për të hyrë në SHBA.
“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”, shkroi Caputo që është pjesë e ekipit të agjencisë prestigjioze “Axios”.
Në një deklaratë për mediat Berisha e përshëndeti këtë zhvillim, duke e cilësuar si një hap domethënës dhe një mbështetje që sipas tij buron nga administrata e presidentit Donald Trump. Ai theksoi se kjo është një fitore morale jo vetëm për të, por për të gjithë demokratët shqiptarë që në kushtet më të vështira, nuk hoqën dorë nga beteja e tyre për liri dhe drejtësi.
“Ky është një vendim që tregon qartë se drejtësia dhe e vërteta nuk mund të mbulohen përjetësisht. E konsideroj këtë si një shpërblim për të gjithë ata demokratë që i qëndruan me dinjitet një kauze të drejtë”, u shpreh Berisha.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur debati për marrëdhënien e tij me institucionet amerikane është rikthyer në qendër të vëmendjes, veçanërisht në prag të zhvillimeve të reja politike brenda opozitës shqiptare.