Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka dërguar një kërkesë urgjente për kompaninë DHL, e cila është përgjegjëse për shpërndarjen e fletëve të votimit në Greqi, duke i kërkuar një raport të detajuar lidhur me procesin e shpërndarjes. Kjo kërkesë ka ardhur pas shqetësimeve të ngritura nga Partia Demokratike për disa mangësi të mundshme gjatë shpërndarjes së dokumenteve zgjedhore. Celibashi ka theksuar rëndësinë e shpejtësisë dhe saktësisë së informacionit që duhet të sigurohet për të sqaruar këto çështje.
Përmbajtja e letrës:
I nderuar z. Koçollari,
Në vijim të procesit të votimit nga jashtë vendit, në vlerësim të shqetësimeve të subjektit zgjedhor Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi, jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:
Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?
A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marrëveshja?
Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?
Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?
Sa është numri i zgjedhësve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?
Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?
A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?
Sa është numri i zgjedhësve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banesë, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste?
Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritëse të operatorit të shërbimit postar? Cili është dokumentacioni provues për këtë rast?
Për shkak të rëndësisë dhe urgjencës së këtij procesi, kërkojmë që informacioni i mësipërm të na vihet në dispozicion brenda një afati sa më të shkurtër.
Letra është një kërkesë për transparencë dhe sqarim të plotë të procesit, dhe është një hap i rëndësishëm për të adresuar shqetësimet e PD-së mbi zgjedhjet jashtë Shqipërisë.