Studenti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, një nga organizatorët e lëvizjes studentore në protestën e disa ditëve më parë në Shkup lidhur me të drejtën e dhënies së provimit të jurispodencës në gjuhën shqipe, teksa ishte pjesëmarrës në Samitin e Diasporës në Tiranë, në një intervistë për mediat ka folur për qëndrimet e tij dhe studentëve të tjerë shqiptarë lidhur me këtë kauzë të ngritur.
Fjala e Ademit
Nuk ka pasur një moment kyç, për të dal në protestë si vendim, por pamë përkrahje nga një masë e madhe. Dëshmuam e treguam që kur bie puna te amaneti i të parëve, mbushen rrugët e Shkupit me të rinj e profesionist, kjo ishte mesazhi kryesor.
Patëm takime me ambasadat e huaja, premtimet 2 vjeçare nuk na zgjidhën punë, rrugëdalja ishte veç protesta. Kushtetuta e garanton gjuhën shqipe, të mësosh nga klasa e parë deri në doktor shkencash dhe provimin shtetëror në gjuhën maqedonase kjo është absurde, këtë duam të ndërrojmë. Kauza jonë ka nis me nismën për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por tani ka marr një spektër pak më të gjerë që po nxjerr në pah zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet tona dhe qëndrimet albanofobe të funksionarëve tanë që i kemi në Maqedoninë e Veriut. Për këtë protestohet, gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare, këtë qëndrim mbajmë edhe ne.
Ka pas reagime të shumta nga Shqipëria dhe Kosova, Osmani, Hajradinaj, Hoxha e Spiropali. Bashkëmoshatarët maqedonas nuk kanë kundërshtuar, por besoj kanë frikë të dalin haptazi t’na mbështesin. Kanë qëndruar indiferent.
Ndihesh si qytetarë i klasës së dytë, mjaftueshëm të kuptosh se krahasuar me një koleg maqedonas e kam më të vështirë të punësohem apo të jem si ata. Nuk duhet të ndalemi, por të shkojmë deri në fund. Ne duhet të trajtohemi të barabartë me ata, as më pak e as më shumë.









